Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar lidhur me protestën dhe mbarëvajtjen e saj. Pas eskalimit të situatës, si pasojë e vazhdimit të shprehjes së dhunës së disa protestuesve dhe si pasojë e vazhdimit të pandërprerë të hedhjes së mjeteve të forta, gurëve, kubëzave, shkëmbinjve të mëdhenj, koktej molotovi dhe kontejnerëve të ndezur me zjarr të shtyrë në drejtim të zyrtarëve policorë, njësitet relevante policore janë detyruar që në vazhdimësi të intervenojnë, duke përdorur pajisjet e ligjshme policore për të vënë situatën nën kontroll.
Dhuna e shfaqur nga ana e disa protestuesve të pandërgjegjshëm, deri rreth orës 15:30 ka rezultuar me lëndimin e mbi njëzet e dy (22) zyrtarëve policorë, ku prej tyre dy (2) zyrtarë kanë pësuar lëndime më serioze dhe janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Policia e Kosovës deri më tani ka shoqëruar mbi njëzet e shtatë (27) protestues të dhunshëm, të cilët janë shoqëruar në stacione policore, për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore.
Po ashtu në bazë të informacioneve të pranuara nga Qendra Emergjente në Prishtinë, deri në këto momente pesëmbëdhjetë (15) qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia e Kosovës vazhdon në implementimin e planit policor i cili ka për qëllim primar garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë si dhe zbatimin e ligjit, i cili është prioritet i planit të PK-së.
Policia e Kosovës vazhdimisht u bën thirrje protestuesve që të mos shprehin dhunë ndaj zyrtarëve policorë dhe të mos dëmtojnë hapësirat dhe objektet publike e private.
Mbi 20 policë të lënduar dhe 27 protestues të arrestuar
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani ka thënë se policia është detyruar që të përdorë mjete të ligjshme, dhe se nuk kanë pas për qëllim të pengojnë protestën.
“E njohim të drejtën për të protestuar, dhuna na ka detyruar që ne si Polici edhe përkundër perimetrit të marrim veprimet tona policore të ligjshme”, ka thënë Kelani. Sipas tij deri në ora 15:00 numri i të lënduarve nga ana e zyrtarëve policor arrin në 20, ndërsa në stacionin policor shoqëruar në stacion policor 27 protestues. Nga QKUK numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë janë rreth 30 persona.
Kelani u ka bërë thirrje protestuesve të mos dëmtojnë hapësira publike, dhe private kjo është e kundërligjshme.
“Kemi marrë të gjitha masat që ta ruajmë , mirëpo disa qytetarë po vazhdojnë me tendencën që të eskalojë situata. Zyrtarët tanë do të vazhdojnë të ndërhyjnë derisa të qetësohet përfundimisht situata” ka thënë Kelani.
http://www.rtklive.com/?id=2&r=18658