200 pako ushqimore për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale
/2L ONLINE/ – Komuna e Gjilanit, respektivisht Qendra për Punë Sociale, përmes mbështetjes së Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka bërë sot shpërndarjen e 200 pakove ushqimore për familjet me gjendje të rendë ekonomike dhe sociale të Komunës së Gjilanit.
Kështu ka bërë të ditur drejtori i QPS-së, Mursel Zimberi, në një konferencë me gazetarë, i cili, ka potencuar edhe dinamikën dhe përkushtimin e madh të kësaj qendre në funksion të mbështetjes dhe kujdesit të vazhdueshëm për këto raste, falë edhe mbështetjes së parezervë të kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, bashkëpunimit shumë të mirë me institucionet tjera si Gjykatën, Policinë e Kosovës dhe institucione të tjera relevante.
Zymberi ka thënë se për këto dy vjet janë mbështetur dhe asistuar familjet e kësaj kategorie, më shumë se sa gjithë asistenca dhe mbështetja që është dhënë për dhjetë vitet e kaluara.
“Falë mbështetjes së kryetarit të Komunës, donatorëve të shumtë dhe të vazhdueshëm, ne kemi arritur që për dy vitet e fundit të mbështesim familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, sa gjithë mbështetja e dhënë në dhjetë vitet paraprake. Sot përmes donatorit Ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe, kemi bërë shpërndarjen e 200 pakove ushqimore, për familjet me gjendje të rëndë sociale. QPS, nga pozita që kishte më parë të një institucioni që ka ‘kqyrë seri’, tani ka kaluar në një institucion të aktivitetit praktik me mbështetje të drejtpërdrejt dhe konkrete, për familje dhe tashmë presioni i familjeve të kësaj kategorie për të kërkuar mbështetjen e Komunës, është shumëfish më i vogël”, ka thënë ai, në këtë paraqitje para gazetarëve.
Gjithashtu, Zymberi ka potencuar edhe aspektin e punës që është duke u bërë në infrastrukturën e banimit për familjet skamnore dhe pa kulm mbi kokë.
“Gjatë periudhës së këtyre dy vjetëve, me iniciativë të kryetarit Haziri, kemi arritur falë edhe mbështetjes së donatorëve që të ndërtohen 30 shtëpi të reja, është bërë poashtu pagesa e qerasë së banimit për shumë familje të tjera dhe shumë shpejtë do të nisim edhe me renovimin dhe rindërtimin e shtëpive të tjera të identifikuara nga komisioni komunal dhe kështu mirëqenia e qytetarëve dhe e familjeve të këtij niveli do të ndryshoj edhe më shumë”, potencoi Zymberi, gjatë elaborimit të punës së kësaj qendreje për periudhën janar – prill 2016.
Dhuna në familje dhe rastet e braktisjes së fëmijëve të porsalindur, sipas drejtorit Zymberi, janë sfida me të cilat përballet kjo drejtori vazhdimisht, deri sa ka potencuar që pagesa për familjet strehuese të fëmijëve pa prindër, është vlerë ende e vogël karshi asaj që duhet të jetë.
Në kuadër të kësaj, ai ka thënë se Gjilani në këtë aspekt është mjaftë mirë dhe shpeshherë kjo qendër pranon kërkesa edhe të qendrave tjera rajonale nga Komunat tjera, që të ndihmoj ato lidhur me sigurimin e familjeve të cilat përkujdesen për fëmijët pa prindër.
Gjithashtu, Zymberi në kuadër të dhunës në familje, ka përmendur edhe raste të atilla që dhuna më nuk është vetëm ndaj gjinisë femrore, por në këtë periudhë, ai ka thënë se kishte edhe një rast të dhunës ndaj burrit, që sipas tij, “raste të tilla por edhe të tjera të dhunës në familje, janë kryesisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale, por ndonjëherë edhe të martesave të cilat nuk janë të menduara dhe planifikuara mirë para lidhjes së tyre, e që shpeshherë janë shkaktarë të problemeve të mëvonshme familjare”.
Ndërsa për fund, drejtori i Qendrës për Punë Sociale, ka bërë të ditur se asistencën sociale e shfrytëzojnë me ndryshime të vogëla në numra, zakonisht nga një mijë, deri në një mijë e 100 familje. /2L ONLINE/
