2 milionë € për mirëmbajtjen e rrugëve, por gropat në Gjilan vazhdojnë të mbeten të hapura
Shkruan: Bashkim Isufi
Po hyjmë në muajin shtator, ndërsa qeveria komunale e Gjilanit ende nuk ka arritur të sigurojë mbylljen e gropave të hapura në rrugët e qytetit.
Gropat e krijuara pas reshjeve të dimrit që lamë pas, si dhe ato të hapura gjatë realizimit të projektit “Ndërrimi i gypave të ujësjellësit dhe instalimi i kyçjeve të reja – Gjilan, Viti, Kamenicë, sipas PMA-së 2026”, në lagjen “Iliria” në Gjilan, vazhdojnë të mbeten të hapura.
Këto dëmtime po krijojnë rrezik për sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion dhe po rrisin mundësinë e përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes së rrugëve.
Në dhjetor të vitit 2025, Komuna e Gjilanit ka lidhur dy kontrata kornizë për “Mirëmbajtjen Verore të rrugëve në Komunën e Gjilanit”, që mbulojnë zonat Veri-Perëndim dhe Jug-Lindje të qytetit, me një vlerë totale të parashikuar prej 2 milionë eurosh.
Këto kontrata përfshijnë, ndër të tjera, riparimin e gropave, sanimin e dëmtimeve të asfaltit, mirëmbajtjen e pusetave dhe trotuareve, si dhe ndërhyrje të tjera në strukturat rrugore. Sipas kushteve të kontratave, shërbimet realizohen përmes urdhërblerjeve të lëshuara nga Autoriteti Kontraktues, ndërsa afati për kryerjen e shërbimeve është jo më i gjatë se pesë ditë nga koha e lëshimit të urdhërblerjes.
Prandaj, pyetja kryesore është:
Nëse Komuna e Gjilanit ka lidhur dy kontrata kornizë me vlerë totale të parashikuar prej 2 milionë eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve në qytet, pse gropat vazhdojnë të mbeten të hapura për muaj të tërë?
Përgjegjësia nuk mund t’u atribuohet automatikisht operatorëve ekonomikë të mirëmbajtjes, nëse Komuna nuk ka lëshuar urdhërblerjet përkatëse. Përkundrazi, kjo ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Komuna po i identifikon, evidenton dhe adreson dëmtimet në rrugë, si dhe mbi mbikëqyrjen e kontratave të mirëmbajtjes. Një vlerë totale e parashikuar prej 2 milionë eurosh kërkon transparencë të plotë mbi mënyrën e aktivizimit dhe zbatimit të këtyre kontratave. Prandaj, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje konkrete dhe llogaridhënie për mënyrën se si po zbatohen këto kontrata.
Në këtë drejtim, pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Komuna e Gjilanit janë të qarta:
A janë evidentuar dhe regjistruar të gjitha gropat dhe dëmtimet e rrugëve që kërkojnë ndërhyrje dhe cilat janë lokacionet e tyre?
Sa urdhërblerje janë lëshuar gjatë vitit 2026 për riparimin e gropave dhe dëmtimeve të asfaltit, në cilat lokacione dhe cila është vlera financiare e tyre?
Kur janë lëshuar këto urdhërblerje, cili ka qenë afati i përcaktuar për realizimin e punimeve dhe sa prej tyre janë përfunduar brenda afatit pesëditor të përcaktuar me kontratë?
Sa prej dëmtimeve të evidentuara janë riparuar deri më tani dhe sa vazhdojnë të mbeten të hapura?
Në rastet kur dëmtimet janë shkaktuar gjatë realizimit të punimeve të projektit të KRU “HIDROMORAVA” sh.a., a ka kërkuar Komuna nga investitori dhe punëkryesit rikthimin e sipërfaqeve të dëmtuara në gjendjen e kërkuar sipas kushteve të projektit dhe kontratës?
Sa mjete nga vlera e parashikuar prej 2 milionë eurosh janë shpenzuar deri më tani, për cilat lloje të punimeve dhe sa prej tyre lidhen me riparimin e gropave dhe dëmtimeve të asfaltit?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të ndihmonin të sqarohej nëse problemi qëndron te mungesa e evidentimit të dëmtimeve, te mungesa e lëshimit të urdhërblerjeve, te vonesat në realizimin e punimeve apo te mungesa e mbikëqyrjes së kontratave. Problemi nuk është vetëm një gropë e pambyllur. Është çështje e funksionimit të të gjithë mekanizmit të mirëmbajtjes së rrugëve: nga evidentimi i dëmtimit dhe lëshimi i urdhrit për ndërhyrje, te realizimi i punimeve brenda afatit dhe, në fund, mbikëqyrja e cilësisë së punimeve të kryera.
Nëse dëmtimet janë evidentuar dhe urdhrat për ndërhyrje janë lëshuar, atëherë duhet të dihet pse punimet nuk janë realizuar brenda afatit të përcaktuar. Nëse urdhrat nuk janë lëshuar, atëherë pyetja është pse Komuna nuk po e aktivizon mekanizmin e mirëmbajtjes për dëmtime që janë të dukshme dhe që vazhdojnë të paraqesin rrezik për qytetarët. Kur një gropë apo dëmtim paraqet rrezik për automjetet dhe këmbësorët, deri në realizimin e riparimit përfundimtar zona duhet të sigurohet dhe të sinjalizohet në mënyrë adekuate.
Në Gjilan, muajt po kalojnë, ndërsa shumë dëmtime në rrugë vazhdojnë të mbeten të pa riparuara. Çdo vonesë në ndërhyrje rrit mundësinë që dëmtimet të përkeqësohen dhe, rrjedhimisht, të kërkojnë ndërhyrje më të mëdha dhe më të kushtueshme.
Qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për kontrata në letër. Ata kanë nevojë për rrugë të mirëmbajtura, ndërhyrje në kohë dhe përgjegjësi institucionale. /2LONLINE/
