/2L ONLINE/ – “A është 17 shkurti festë?”, “A është 17 shkurti protestë?”, “A është 17 shkurti dita kur duhet pajtuar?” dhe pyetje të tilla të ngjajshme kanë një emërues të përbashkët. Të gjitha janë të gabuara në fundamentin e tyre për shkak se tentojnë t’i japin konotacion dhe terma absolutizues kësaj date.
Pozicionimi i skajshëm i të dy anëve politike dhe moslëshimi pe në asnjë skenar, bën që njerëzit të ndahen në dy segmente të mendimit dhe perceptimit politik të situatës.
Problemi përshkallëzohet kur këto dy mendime politike, republikën e shohin nga dy prizma krejtësisht të ndryshëm. Njëra palë tenton ta lë fatin e republikës peng të zhvillimit të imazhit të saj, ndërsa tjetra thekson që imazhi është ‘luks’ për një republikë të llojit të Kosovës.
Problemi merr përmasa qytetare, kur këta të fundit, gjenden mes dy zjarreve, pa pasur një alternativë të tretë. Nëse sot dikush flet për ‘imazhin’ konceptohet si mbështetës i pushtetit, kurse dikush tjetër që flet për republikën ‘përmbajtësore’ cilësohet si mbrojtës i saj, dhe automatikisht përkrahës i kauzës së opozitës.
Në fund të ditës, këto dy probleme e bëjnë qytetarin të ketë frikë të flasë lirshëm atë qe e sheh si të drejtë, duke e bërë që të humb shpresën se në këtë vend mund të bëhet mirë. Rrjedhimisht, nevoja e një uniteti të përbashkët mbi një kauzë të drejtë është më e domosdoshme se kurrë.
Vetëm në këtë mënyrë, duke shprehur dinjitetshëm kërkesat tua dhe duke respektuar simbolikën kësaj date, ky 17 shkurt do të ishte ideal. Protesta nënkupton dëshirë për të ndryshuar diçka, kurse ne për të ndryshuar kemi shumë. Tentimi nga ana e skenës politike që të përvetësojë simbolikën e kësaj date, pa pëlqimin qytetar, është tentim për të marrë mbi supe merita të cilat nuk u takojnë.
Në anën tjetër, ç’është e vërteta, arsye për të festuar kemi pak, apo s’kemi fare. Por kjo nuk do të thotë në asnjë formë, se duhet zbehur simbolika që mbartë kjo datë në vetëvete. Fundja,shpallja e pavarësisë së Kosovës është artikulimi kërkesave politike të kahmotshme të popullit shqiptar të Kosovës për mëvetësi dhe të drejtë për të vendosur për fatin tonë, dhe si e tillë, kjo i festë i takon më së shumti vetë qytetarëve të Kosovës, pa dallime.
Shteti i Kosovës, i takon para së gjithash vetë qytetarëve të saj, dhe rrjedhimisht çdo përgjegjësi u takon atyre, sepse janë ata të cilët vendosin për fatin e së ardhmes së këtij vendi. Megjithatë, për të pasur një të ardhme të ndritur, shteti duhet të plotësojë disa parakushte thelbësore. Pa pasur një shtet ‘brenda’, në kuptimin e plotë të fjalës, nuk mund të provojmë të çojmë atë në një nivel ‘të jashtëm’. Neve na mungon kjo mendësi shtetndërtuese, që në fakt, është ABC-ja jonë e avancimit tonë tutje, në cilindo aspekt.
Në anën tjetër, kemi arsye të panumërta për të shprehur kundërshtinë mbi shumë fusha. Papunësi, krim, korrupsion, sovranitet i ‘cunguar’ e të tjera. Gjithë kjo kundërshti është shtresëzim i problemeve të qytetarëve, të akumuluara që nga paslufta e tutje. Dhe, si për t’i vënë kapak gjithë kësaj kundërshtie, kemi në pushtet qeveri, në listën e prioriteteve të së cilës interesat e qytetarëve nuk figurojnë pothuajse askund.
Me fjalë të tjera, nuk ka tekst që mund të tregojë faktikisht se sa shumë probleme kemi.
Por, megjithatë, prapë se prapë, Kosova është e vetmja ‘shtëpi’ që kemi. Përtej saj, ne si popull nuk kemi nga t’ia mbajmë, dhe pa të ne nuk kemi kuptim.
Dhe si të tillë, ne duhet ta ruajmë, ta forcojmë, e më vonë, pse jo, edhe ta zgjerojmë.
Diçka e tillë arrihet me punë, vetëdijësim qytetar, arsimim politik, dhe mbi të gjitha duke krijuar një kulturë të re politike inkluzive, duke mos përjashtuar askënd.
17 shkurti i këtij viti, nuk duhet të jetë vetëm festë, as vetëm protestë, por gërshetim i të dyjave edhe me shumë faktor tjerë socio-politik. /2L ONLINE/
/Autorë: Eugen Cakolli dhe Vigan Sejdiu, studentë të Universitetit të Prishtinës, departamenti i Shkencave Politike/