Kanë kaluar 16 vjet që nga vrasja e tre qytetarëve amerikanë me origjinë shqiptare, Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyqi, ndërsa për vdekjen e tyre askush nuk ka përgjigjur para drejtësisë. Rasti mbetet i pazgjidhur, ndërsa është një temë e rëndësishme dhe pengesë e madhe në marrëdhëniet midis SHBA-ve dhe Serbisë.
Kohët e fundit, Kongresi i SHBA-ve ka iniciuar një rezolutë të re, në të cilën theksoi se “vënia e drejtësisë në rastin e vëllezërve Bytyqit, do të ndikojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, transmeton Telegrafi.
Vëllezërit Ilir, Agron dhe Mehmet Bytyqi kanë lindur në Chicago të SHBA-ve dhe iu bashkuan brigadës së “Atlantikut” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në prill të vitit 1999.
Ata u arrestuan në Serbi dhe më pas u vranë në të njëjtin vit, ndërsa për vdekjen e tyre deri më tani askush nuk është përgjigjur.
Ministri i policisë serbe, Nebojsha Stefanoviq, tha muajin e kaluar se “në rastin Bytyqi” janë arritur përparime të rëndësishme”. /Telegrafi/