DYLON

12 kajmekam – një Skën’er po’i mun’

12 kajmekam – një Skën’er po’i mun’
Avatar photo Redaksia

Fuqia e Skënderbeut në një këngë (të panjohur deri më tash) lirike popullore në Karadak

 Shkruan: Ukshin Zajmi:

Kohë më parë, Hamit Aliu (1947) mësues nga Shurdhani i Gjilanit, duke biseduar për rrjedhat aktuale kulturore zbuloi se e din një këngë, që ende askund nuk e ka dëgjuar për Skënderbeun. Me insistimin tonë ai këtë këngë e këndoi, ashtu siç e kishte mësuar, si fëmijë, nga dajua i tij Rasim Murati (1885-1980) nga fshati Bresje e Karadakut të anës së Shkupit. Kënga i ka tri strofa me tri refrene, që dallojnë njeri prej tjetrit. Në tekstin e këngës ka edhe fjalë të gjuhës turke, që asokohe, kur është kënduar kjo këngë, këngëtari anonim i ka huazuar.

Hartimi i këngës është bërë në bazë të nismës se luftës, arsyes së saj dhe fuqisë e trimërisë së Skënderbeut. Teksti i tri strofave të refrenit na bënë me dije se kënga është thurë e kënduar pas vdekjes së tij, sepse ajo porositë që bëmat dhe nderi i Skënderbeut të ruhet me mija vjetë dhe për te të flasin guri, druri e bjeshkët, sepse për te jeta ka qenë njësoj si vdekja dhe se tërë këto luftëra i bëri “ për vatan me dekë ”

EkoHigjiena

Kënga përshkruan një mëngjes të bukur me diell, kohë kjo kur Skënderbeu po e niste luftën, strofë të cilën e përcjell refreni që e përgëzon Skënderbeun për mija vjetë dhe kërkon që guri, druri e bjeshkët t’ia ruajnë nderin e tij. Strofa e dytë e arsyeton nismën e kësaj lufte të Skënderbeut, sepse siç thot kënga: në Fushë të Krujës ka rënë një errësirë e ranë dhe sulltan Murati donë me kallë dynjanë.

Në refrenin e kësaj pjese të këngës, këngëtari tash madhëron fisin e Kastriotëve- duke i uruar jetë mijëra vjeçare e duke rrefyer se jeta dhe vdekja e tyre (Ylmi dylmi) janë njësoj për për atdheun. Kulminacioni i këngës arrinë në strofën e tretë, kur këngëtari popullor madhëron trimërinë e kryetrimit tonë, të cilin e zbret nga kali, që kalorësi e lidhë për një guri të shpumë (të vrimosur) dhe 12 kajmekam ( komandant kazashë) një Skën’er po i mun’. Edhe refreni i tretë përgëzon jetë mijëvjeçare të jehonës së kryetrimit Skënderbe, duke treguar se ai: ditë e natë luftoi/për liri me dekë .

Komponimi i këtillë i kësaj kënge dëshmon për një zgjuarsi të këngëtarit popullor për të përshkruar me pakë fjalë heroizmin e Skëndrbeut dhe për të dhënë porosi të drejtpërdrejta dhe figurative për ruajtjen e kujtimit për te.

Teksti i këngës siç e ka shkruar Hamit Aliu:

“Në sabah u çova
Djelli seç po binte
-o, ky Skënderbeu
luften po e niste

e rrnoft Skënderbeu
me mija vjetë
e rrnoftë nëfuzi
n’gur, n’dru e n’bjeshkë

Ç’atje n’fushë të Krujës
nji duvan i ranë
-o, sultan Murati
do me kallë dynjanë

o,o, e rrnoftë Kastrioti
me mija vjet
ylmi dylmi heci
për vatan me dekë”

E ka lidhë kalin
Për nji guri t’shpu’m
Dhymdhetë kajmekam
Nji Sken’er po i mund

E rrnoft Kastrioti
Me mija vjete
Dite e nate luftoj
Per vatan me dekë

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.