Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbjen e tretë radhazi në kuadër të Grupit E në kualifikimet për Botërorin 2014. Kuqezinjtë, janë mposhtur nga Zvicra, të premten në mbrëmje, në “Qemal Stafa”, me rezultat 2:1.
Pas kësaj fitoreje zviceranët e kanë siguruar kualifikimin në Botërorin e verës së ardhshme, derisa Shqipëria mbetet në pozitën e pestë dhe i mbetet vetëm edhe sfida kundër Qipros, të martën për të përmbyllur këtë fushatë kualifikuese, e cila në fillim dukej tejet shpresëdhënëse, por që në fund doli të jetë zhgënjyese, transmeton rtk.
Në pjesën e parë të përzgjedhurit e Xhani De Biasit patën një paraqitje tejet të dobët, derisa zviceranët zhvilluan lojë të qetë dhe të sigurt. Për epërsinë e helvetikëve u përkujdes Xherdan Shaqiri, i cili shënoi gol në minutën e 48-të, derisa epërsinë e dyfishoi Lang, në minutën e 76-të, kur shfrytëzoi hutinë e mbrojtjes shqiptare. Ndërkohë, golin e ngushëllimit për kuqezinjtë e shënoi Hamdi Salihi, nga penalltia, në minutën e 88-të, pasi paraprakisht Benalio e faulloi Roshin në zonë.