(2LONLINE) – Mbrëmë në Gjilan është hapur Festivali i Dramës Shqiptare “Talia e Flakës”, si pjesë përbërëse e manifestimit shumëkulturor “Flaka e Janarit” që mbahet në nderim të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve shqiptarë të rënë nëpër janarët dhe muajt tjerë të historisë së vështirë shqiptare për liri e identitet kombëtar.
Festivalin e ka shpallur të hapur kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, i cili me këtë rast ka thënë se “Flaka…” si manifestim përkujtues për dëshmorët, ka ecur nëpër rrugë të vështira, por nuk është ndaluar asnjëherë.
Duke rikujtuar nismën e këtij manifestimi, Haziri ka falënderuar mikpritësit e mëdhenj të “Flakës së Janarit” në Përlepnicë, Bresalc, Gjilan e gjetiu, në kohën kur Kosova jetonte në okupim, sikurse edhe aktorët, regjisorët dhe gjithë të tjerët që kanë qenë pjesë përbërëse e manifestimit, që Gjilanin e ka kthyer në një qendër mbarëkombëtare të kulturës.
Falë këtij manifestimi, që sivjet mbahet për herë të 23-të me radhë, pesë ditë në Gjilan jetohet me teatër dhe një muaj në Gjilan jetohet me kulturën kombëtare, ka thënë Haziri.
Ndërkohë, natën e parë është dhënë shfaqja premierë “Zonja me maskë” e Teatrit të Gjilanit, e autorit Osman Goranci, me regji të Fatmir Hysenit, e cila nga kritika u vlerësua si një dramë e nivelit mesatar, një shfaqje e atmosferës.
“Zonja me maskë” është një dramë e fatit njerëzor. Personazhet e dramës janë sa reale, po aq edhe ireale, romantike e poetike. Ata jetojnë në një shoqëri ku funksionojnë uzinat, trenat, një shumësi mentalitetesh.
Drama përcillet me tri akte, ka një rrjedhojë krejt origjinale. Personazhet kanë një botë të veçantë nga një kontekst bibliografik. Ata kanë ndjesinë e madhe për të bartur dashurinë e vjetër në xhepat e kujtesës edhe kur janë të dehur ose të dështuar. Është poezia ajo e cila do t`i inkurajojë për të ndryshuar vetveten, edhe kur jetën e tyre nuk mund ta shpërlajë më as lumi.
Dramaturgu Josip Papagjoni tha se “Gruaja me maskë” është një shfaqje e këndshme dhe që komunikon mirë me publikun. trajton disa fenomene të tejkaluara.
Kurse Nebih Islami tha se tema kryesore e dramës është një poetikë e traumës jetësore, e fatit njerëzor, që sa mund të jetë shqiptar, po aq është e universal.
Kritika tha fjalë të mira edhe për lojën e aktorëve: Gëzim Bucolli (Gjon), Safete Mustsfa (Era), Sabedin Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa hasani, Njomza Kalaveshi, Kenan Gurgurovci, GYner Halili, Durim Neziri e Bedri Abazi.
Natë e dytë të Festivalit “Talia e Flakës”, do të jepet shfaqja “Gishti” i Teatrit Shqiptar të Shkupit, nga Doruntina Basha, me regji të Agon Myftarit.
Natën e tretë shfaqet “Shembja e Kullës së Ajfelit”, e Qendrës Multi Media – Prishtinë, nga Jeton Neziraj me regji të Blerta Neziraj.
Natën e katërt vjen shfaqja “Dëshmitari” e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me autor e regjisor Selami Taraku.
Festivalin e përmbyllë shfaqja “Tri mendje në ankand” e Teatrit Metropol nga Tiranë, e Ferdinand Hysit, me regji të Elma Doresi.
Festivali ka karakter garues dhe në fund të tij juria profesionale do të ndajë nëntë çmime.
“Talia…” përcillet edhe me ligjërata nga Robert Ndrenika, Nebi Islami, Erson Zymberi e Arian Krasniqi, të cilat mbahen çdo të nesërme në mesditë. /2lonline/