/2L ONLINE/ – Sikur të ishte kërkuar një vit ndërkombëtar i gruas, jo një ditë e vetme për të pasur mundësi të shpërfaqjes së tërë virtyteve dhe vlerave që ngërthehen tek një grua, e cila përherë ka qenë personifikim i dashurisë, mirësisë, vuajtjes, duresës e urtësisë!
Duke pasur gjithë këto virtyte, s’do mend që gruaja të jetë edhe profesioniste e mirë e pse jo edhe udhëheqëse e menaxhere e shkëlqyeshme.
Duke qenë gruaja me gjithë këto vlera dhe atribute njerëzore dhe intelektuale, imponohet shfaqja e zemërimit gjinor, për arsyen se ajo tek ne nuk gëzon pozitën e merituar në udhëheqje barabarsisht me burrat.
Kjo gjendje e realitetit të sotëm, nuk do të thotë se gruaja është më pak e zonja, se ajo është më pak profesioniste, se ajo është më pak ambicioze apo e “paaftë” për të udhëhequr!
Kjo aspak nuk qëndron!
Efekti grua, nënkupton përkushtim, kujdes, përgjegjësi aty ku ajo është, madje edhe në punë.
Bota mashkullore (burrat), në raport me atë femërore (gra), përherë shpreh “superioritetin” dhe, përherë pozitën udhëheqëse dhe menaxheriale e konsiderojnë sikur të ishte ekskluzivitet i burrave. Është ky realitet i dukshëm tek ne.
Profesionalizmi dhe përgatitja e një gruaje, shikohet me një sy mosbesues – besim i kufizuar, dhe mohim i vlerës dhe profesionalizmit të gruas dhe, kjo është e dukshme edhe nga përvoja në komunën tonë ku menaxhimet dhe udhëheqjet në shumicën e rasteve shkojnë për ters, sepse numri aq i madh i burrave në pozita nuk jep rezultatin e duhur.
Gruan e përgatitur e profesioniste edhe sot, nuk e shohim në pozitë drejtoreshe në drejtoritë e komunës, nuk e shohim menaxhere në njësitë e caktuara komunale, nuk e shohim të udhëheq as me kompanitë publike, për atë se këto pozita janë të rezervuara ekskluzivisht për burrat.
Prandaj, është moment që gratë të bëhen zëri i njëra tjetrës, të japim alarmin se është koha e ndarjes së pushtetit në rapotin e merituar burra – gra. Është koha të shfaqim insistimin tonë për të marrë vendin dhe pozitën, meritueshëm aq sa që na takon.
Duke e kërkuar me vendosmëri këtë të drejtë, gruaja asnjëherë nuk duhet të bie në pozitën e “lutjes” për çështjen e trajtimit në pozitë, ajo duhet të paraqitet e vendosur në atë që kërkon me gjithë vlerat dhe përgatitjet e saja profesionale.
Pavarësisht se kjo situatë e mos respektimit të gruas në ndarjen e pozitave udhëheqëse, here – herë na bënë të ndjehemi të pashpresa, megjithatë duhet të zgjohemi në kërkim të asaj që na takon, duke përdorur dijen, profesionalizmin, meritat, atributet dhe përgjegjësinë që kemi ndaj detyrave që marrim.
Na duhet të bëhemi të gjitha në shfaqjen e zemërimit gjinor dhe kërkimit të drejtës sonë! /2L ONLINE/
Arzie Nuhiu – juriste (anëtare e Kryesisë së Degës së PDK-së)