Në një lokalitet të vogël të Zvicrës, në Turgi të kantonit Aargau është gjetur piktura që konsiderohet “simotër” e Mona Lizës së Leonardo da Vinçit. Bëhet fjalë për një portret të gruas italiane nga shtresa fisnike, me emrin Isabelle D`Este, që është gjetur në një bodrum të Turgit, pas 500 vjetëve që konsiderohej i humbur.
Buzëqeshja e gruas së portretuar ngjan shumë me buzëqeshjen magjepsëse të Mona Lizës së famshme. Profesori i arteve nga Universiteti i Kalifornisë, Carlo Pedretti është i sigurt: “Kjo është vepër e da Vinçit”, thotë ai.
Me përmasat 61cm x 46.5 cm portreti karakterizohet nga po ato ngjyra dhe nga po ajo shtresë bazë që janë tipike për da Vinçin. Kjo pikturë konsiderohet të jetë forma përfundimtare që ka marrë një vizatim i portretit të fisnikes Isabella D`Este, që ndodhet në muzeun Louvre të Parisit, aty ku është dhe Mona Liza.
Ndërkohe, siç bën të ditur srf.ch, të cilës i referohet albinfo.ch, ekspertë tjerë të artit kanë dyshime nëse kjo vepër është autentike ose jo.
Por, koleksionuesi i artit nga Turgi, në pronësinë e të cilit është portreti, ka angazhuar prof. Pedrettin për të kryer analizat e nevojshme. Në rast se çdo gjë del siç pritet, atëherë ky do të jetë njëri ndër zbulimet më të mëdha të historisë së artit në botë.