Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një kundër reagim lidhur me deklaratat e Policisë së Kosovës me rastin e aksionit të Policisë më 28 nëntor në selinë e VV-së. Policia nëpërmjet një komunikate ka sqaruar se ka kërkuar nga kryetari Visar Ymeri dhe Aida Dërguti që të jenë prezent gjatë bastisjes së zyrave por të njëjtit kanë refuzuar. Lëvizja vetëvendosje sqaron se Ymeri dhe Dërguti kanë kërkuar nga Policia urdhrin për bastisje por që të njëjtin Policia nuk ua ka treguar. Andaj VV konsideron se bastisja e selisë së partisë së tyre është e paligjshme.
Ja komunikata:
Ikja nga përgjegjësia e Policisë së Kosovës për veprimet, jo vetëm joproporcionale në kuptim të ligjit për policinë që është në fuqi, mirëpo armët dhe mjetet e përdorura janë jokonvencionale në raport me “objektivin e paraqitur” të policisë. Nuk mund të flitet për proporconalitet kur godina e një subjekti politik bastiset, terrorizohet dhe nënshtrohet nga më se një mijë policë të armatosur me armë me tyta të gjata. Madje angazhimi i njësisë për operacione speciale për veprimtari anti-terroriste është shenja më e qartë e trajtimit të subjektit politik nga pushteti.
Njësiti Speciale Intervenuese, njësit ky që ka hyrë dhunshëm brenda zyrave të Lëvizjes, përdoret për eliminim dhe trajnohet si njësit i tillë. Për këtë arsye, armatimi që përdorin ata është i kalibrit të lartë. Ky njësit është nën juridiksionin e Shpend Maxhunit, Drejtorit të Policisë së Kosovës, prandaj atë që ka dhënë urdhër për intervenim të tillë tashmë e dimë.
Fjalia e Policisë se “Nuk i kemi përdorë armët”, jo se nuk është e vërtetë, por është trillim edhe në aspektin profesional, gjë të cilën Policia e Kosovës nuk do të duhej të bënte lëshime të tilla. Madje, në kuptimin e përgjithshëm, gjë të cilin secili zyrtar i policisë e ka të njohur, që sulmi fillon nga momenti nxjerrjes së armës nga kallëpi apo pozita e saj neutrale. Janë tani shumë incizime ku shihen pjesëtar të policisë me armë të gjata të drejtuara ndaj aktivistëve, dhe me tytat kanë goditur e kanë lënduar shumë aktivistë. Në terrorizimin e objektit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! ne kemi plagosje të aktivistëve nga plumbat e gomës, e që në kuptim të Kodit Penal janë kategori e veçantë të armëve (Neni 120).
Njësia Speciale Intervenuese ka thyer dyert e ndërtesës, pa asnjë mandat ligjor apo paralajmërim të pronarëve legjitim. Hyrja poshtë është e gjithë ndërtesës, jo vetëm e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Policia e Kosovës ka bastisur në mënyrë të paligjshme zyrat e Lëvizjes. Para të niste bastisja, Kryetari i VETËVENDOSJE!-s Visari Ymeri dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Aida Dërguti kanë kërkuar nga policia që t’ua paraqes vendimin e gjykatësit për bastisje. Policia e Kosovës nuk ua ka paraqitur vendimin, dhe nuk u ka treguar se cili gjyqtar e ka marr këtë vendim. Rrjedhimisht, Policia e Kosovës po nisej për t’i bastisur zyrat tona, pa vendim nga gjykata. Prandaj, z.Ymeri dhe znj. Dërguti nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e kësaj bastisjeje të paligjshme.
Gjatë bastisjeve janë demoluar zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe janë konfiskuar edhe serverët, ku janë të regjistruar të gjitha aktet çnjerëzore të këtyre njësive në videot nga kamerat e brendshme. Ky konfiskim është bërë vetëm e vetëm që të fshihen veprimet e dhunshme policore brenda zyrave tona.
Ekspertët tanë të sigurisë por dhe të pavarur na kanë shpjeguar se çfarë është parë në zyrat tona është sulm i llojit luftarak e jo një intervenim arrestimi.