(2L ONLINE) – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan e mbështetë protestën e organizuar nga studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, protestë kjo që do të mbahet të premten, më 23 janar, në Gjilan.
Në vazhdën e protestave që po mbahen nëpër qytetet e Kosovës, edhe kjo protestë ka dy kërkesa kryesore: shkarkimin e Jabllanoviqit dhe mbrojtjen e Trepçës. Protestat e tilla gjithandej Kosovës, tregojnë mobilizimin gjithëpopullor kundrejt problemeve jetike të shtetit tonë, që për emërues të përbashkët kanë Listën Srspka.
Vetëvendosje ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe aktivistëve që të bashkohen në këtë marsh protestues, që nis në ora 13:00 pranë Universitetit Publik “Kadri Zeka”, dhe vazhdon deri tek Teatri i Qytetit.
“Në të njëjtën kohë, ftojmë të gjithë qytetarët e Gjilanit që të shtunën, më 24 janar, të na bashkohen në protestën gjithëpopullore në Prishtinë, që nis në ora 14:00 nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitarë në Prishtinë. Transporti nga Gjilani është i organizuar me autobusë, të cilët nisen në ora 12:00 nga rruga “Adem Jashari”, afër gjimnazit. Bashkë, deri në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët. Jabllanoviq jashtë! Trepça është e jona!”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje. /2L ONLINE/