Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandër Vucic, ka thënë se para zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, do t’i vizitojë të gjitha vendet në Kosovë, bashkë me ministrin pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin.
“Unë po ju them, e ata (Prishtina) le të arrestojnë kë të duan. Me Vulinin do të vijë t’i vizitojë të gjitha vendet e juaja në Kosovë”, ka thënë Vucic.
Duke iu drejtuar serbëve nga Kosova, të cilët ishin mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë për të protestuar kundër vizitës së djeshme të kryeministrit turk në Kosovë, Recep Tayyip Erdogan, Vucic tha se kërkon përgjigje të drejtpërdrejtë nga Brukseli për, siç thotë ai, “standardet e dyfishta meqë nuk kanë reaguar ndaj deklaratës së Erdoganit se Kosova është Turqi” dhe se “pse nuk e kanë dënuar si skandaloze”.
“E, më falni, por të drejta më të mëdha në Kosovë kemi ne se Hashim Thaçi e Erdogani, bile tri herë aq”, ka thënë Vucic.
“Miqtë nga Brukseli” Vucic i pyeti se si është e mundur që të lejojnë që kryeministri i Turqisë dhe Shqipërisë “të vijnë në mitingun e një partie në Kosovë, ndërsa t’i ndalohet hyrja Vulinit”.
“Si është e mundur të na thoni se mund të shkojmë vetëm në manastire, e nuk kam parë që kryeministri turk e ai shqiptar ishin në xhami, por vizituan mitingun e Thaçit”, tha ai, transmeton Press. “Këto janë pyetje të drejtpërdrejta për Brukselin dhe kërkoj përgjigje të drejtpërdrejtë”.
“Ne jemi të vegjël, por popull dhe shtet krenar”, ka theksuar ai, duke porositur Erdoganin që “fytyra dhe nderi serb nuk janë më pak të ndotur se i tyre”.
Erdoganit dhe të gjithëve që mendojnë se “mund të shkatërrojnë Serbinë”, Vucici i porositi se Serbia respekton madhësinë dhe forcën turke, si dhe shtetet tjera, dhe se me të gjithë do paqe dhe raporte të mira, porse nuk do të lejojë sjellje të tillë.
“Serbia, dhe këtë duhet ta dinë Erdogani dhe çdokush tjetër, kurrë nuk do të lejojë, as më të mëdhenjve se ne, diçka të tillë”, ka thënë Vucic.
Vulin u tha serbëve të mbledhur se do të shihen para përfundimit të kampanjës “në Kosovën tonë”, ndërsa i ka ftuar të dalin në zgjedhje, sepse kështu “do ta ruajnë Serbinë”. /Titulli.com/