Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri të mërkurën ka pritur futbollistin e mirënjohur nga Kosova Granit Xhakën që po shoqërohej nga familjarët e tij.
I pari i futbollit tonë, e njohu futbollistin për përpjekjet e FFK-së që të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s si dhe me përgatitjet e përfaqësueses së Kosovës për dy ndeshjet e radhës.
Po ashtu kryetari Vokrri duke i dëshiruar Granitit suksese në Botërorin Brazili 2014, theksoi edhe për kujdesin e veçantë që FFK-ja po u kushton futbollistëve që po luajnë nëpër klubet evropiane dhe se Kosova krenohet me të gjithë duke besuar thellësisht se të gjithë futbollistët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në Brazil do të prezantojnë jo vetëm ekipet përfaqësuese të shteteve pjesë e të cilave janë, por në një mënyrë do ta prezantojnë edhe Kosovën, me shpresën që sa më shpjet edhe Kosova të jetë pjesë e këtyre evenimenteve botërore, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Vokrri ka falënderuar Xhakën për mbështetjen që po jep futbollit të Kosovës në përgjithësi.
Ndërkaq, futbollisti Xhaka ka falënderuar kryetarin Vokrri për mikpritje duke premtuar se gjithmonë do të jetë me shpirt e zemër me futbollin e Kosovës dhe do ta ndihmojë gjithmonë sa herë që t’i jepet mundësia me të gjitha kapacitet që disponon.
Të kujtojmë se Granit Xhaka këto ditë po qëndron në Kosovë, para se ë udhëtojë për në Kampionatin botëror Brazili 2014 si pjesë e Kombëtares së Zvicrës, ndërsa të martën ka vizituar KF ‘Feronikeli’ nga Drenasi ku u dhuroi pajisje sportive dhe të njëjtën gjë e bëri edhe sot në Podujevë ku vizitoi skuadrën e KF ‘Llapi’ dhe po ashtu u dorëzoi pajisje sportive.