Riad RASHITI
(2L ONLINE) – Vlerësimi i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për transparencën në komunat e Kosovës, është i mangët për arsye se nuk janë marr për bazë edhe indikatorë të tjerë sa i përket punës së Kuvendeve Komunale, në këtë rast punës së KK në Gjilan, sepse në këtë raport të vlerësimit, nuk janë përfshirë më shumë indikatorë të tjerë, e që janë shumë të rëndësishëm për një vlerësim sa më real, si; respektimi i rregullores së punës së Kuvendit, realizimi i planit të punës së Kuvendit Komunal, shqyrtimi i kërkesave të grupeve nga subjektet politike, respektimi i procedurave deri në miratimin e vendimeve, anashkalimi i komiteteve në shumë vendime, mos dërgimi i materialit me kohë si dhe shumë indikatorë tjerë, përmes së cilave do të ishte bërë një vlerësim më real, për transparencën e punës së Kuvendit Komunal të Gjilanit. Sepse asnjëri nga këta indikatorë nuk është respektuar gjatë punës së KK në Gjilan.
Në përgjithësi sipas vlerësimit që është bërë nga KDI, del se Komuna e Gjilanit ka marrë më së shumti pikë në shtyllën e Kuvendit Komunal, pasi që është notuar me pikët më të larta në gjashtë indikatorë të kësaj shtylle. Indikatorët ku kjo komunë ka marrë pikët maksimale janë: “Takime e seancave të hapura për publik”, “Komitetet e Hapura për publik”, “Qasja në Procesverbale të Kuvendit”, “Qasja në rregullore (vendimet) të Kuvendit Komunal (përfshi planet komunale)”, “Mbajtja e Seancave të rregullta (10 në vit)” dhe “Organizimi i Kuvendit komunal dhe përgjegjësit e mekanizmave të tij”. Pra sipas këtij raporti të KDI, nuk janë marr për bazë edhe shumë indikatorë të tjerë.
Andaj ne e konsiderojmë si vlerësim jo real për rastin e Gjilanit, kur dihet fare mirë se çfarë vlerësime janë bërë deri më sot nga OJQ të cilat e monitorojnë çdo seancë të Kuvendit Komunal në Gjilan. Sidomos, nuk është marr për bazë vlerësimi i indikatorit që ka të bëjë për qasjen në dokumente zyrtare dhe në marrjen e informatave zyrtare nga ekzekutivi i komunës.
Ndërsa sa i përket vlerësimit për ekzekutivin e komunës, raporti i KDI thotë se, më pak transparent është Ekzekutivi i Komunës për të cilin Komuna e Gjilanit është vlerësuar vetëm me 17.0 pikë, nga 35 pikë të mundshme, pra me 48%.
Sipas raportit të KDI, Komuna e Gjilanit nuk ka të publikuar asnjë raport të punës së Kryetarit për gjashtë muaj dhe nuk ka asnjë raport për konsultime me publikun. Ai ka mbajtur vetëm disa konferenca për media. Dëgjimet buxhetore nuk janë të publikuara në ueb-faqe sikurse nuk është publikuar Plani Zhvillimor Urban aktual. Po ashtu në ueb faqe nuk ka informata për asnjë aktivitet të opozitës.
Tek Transparenca Financiare, edhe pse Komuna e Gjilanit ka 24.3 nga 35 pikë të mundshme, apo 69.4% transparente, mungon plani i prokurimit, shpenzimet dhe buxhetet e ndërmarrjeve komunale dhe rajonale, raporti i auditimit dhe borxhi publik komunal. Në konsultime publike ka munguar materiali përcjellës për konsultimet të buxhetit të 2015, ndërsa dhe në ueb-faqe nuk është bërë publike drafti i buxhetit për 2015.
Pra, kjo qeverisje komunale në Gjilan, ka publikuar vetëm një pjesë të këtij raporti të vlerësimit nga KDI, ndërsa ka fshehur dy vlerësimet tjera negative që i janë bërë ekzekutivit të komunës së Gjilanit. E tërë puna e institucioneve komunale në Gjilan, është duke u bërë prapa “perdeve”.
Në shumë raste mbahen sekret raporte financiare, që kanë të bëjnë me miliona euro, sikurse raporti i vlerësimit të dëmeve nga vërshimet në Gjilan, për të cilin askush nuk din për kërkesën e fondit të 1.6 milion euro nga qeveria e Republikës së Kosovës.
Kemi raste të shumta të shkeljeve ligjore dhe procedurale nga komuna e Gjilanit, si dhe nuk lejohet qasja në dokumente publike edhe pse kjo është e rregulluar shumë mirë me ligj. Me çdo kusht kjo qeverisje lokale, po mundohet të mbajë të fshehura raportet e vlerësimeve të institucione të ndryshme për shumë çështje dhe probleme në komunë, sikurse rasti i vlerësimit të ujit të pijshëm që është bërë nga Instituti i Shëndetësisë, ku ka dalë që është uji i kontaminuar nëpër shkollat e fshatrave të Gjilanit, ku këtë raport për dy muaj nuk i është lejuar nga komuna e Gjilanit qasja në dokumente zyrtare. /2L ONLINE/
Riad Rashiti, Anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së