(2LONLINE) – Organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, manifestimi “Vjeshta Letrare e Gjilanit” ka vazhduar tutje rrjedhjen e saj me aktivitetin e radhës që ishte prezantimi I krijimtartisë poetike të poetit Aziz Mustafa. Artdashës, krijues, kritikë e dashamirë të poezisë ishim bërë bashkë për të dëgjuar për fjalën poetike të poetit Aziz Mustafa i cili deri më tani ka të botuar tri përmbledhje me poezi: “Pasaportë kam kafkën time”, “1996, “Matja e kohës së ndalur”, 1999 dhe “Mëso të thuash jo”, 2004.
E, një takim i tillë nisi më së mirë, me deklamimin e poezisë së autorit Mustafa “Autoportret futuristik“. të bërë nga Diana Toska, shoqëruar me kitarë nga Korab Kallaba, derisa kritikët thanë fjalën e tyre për fjalën poetike të poetit Mustafa.
Krtiku Flamur Maloku, në kumtesën e tij lidhur me veprimtarinë letrare të poetit në fjalë, e ka vlerësuar atë si një poet unik të fjalës duke thënë se ai e dha vulën e të qenit një poet ndryshe tek ne. Aziz Mustafa nuk i nënshtrohet poezisë por e lufton unin. Ai di më së miri të godet realiteitn përmes poezisë dhe se ka thuarje të realizuara përtej të mirës, ka thënë Maloku.
Edhe studiuesi Imer Topanica, në vështrimin e tij “Gjuha në poezinë e Aziz Mustafës”, tha se secila vepër letrare e ka gjuhën e saj por poezia e Aziz Mustafës dallohet për një gjuhë të zgjedhur dhe të matur, gjuha e tij është më e veçantë nga poetët tjerë, për faktin se, në veprën e tij gjejmë një të folur poetik që duket e thjeshtë, por në përmbajtje ajo ka thellësi arti.
Duke iu referuar librave të deritanishme që poeti Mustafa i ka të botuara, studiuesi Topanica i ka vlerësuar të kenë vlerat të realizuara dhe fuqi poetike. “Poezia e Mustafës, është një botë e pasur plot mister, që kërkojnë meditim, të shtojnë kërshërinë për të lexuar. Mustafa, njeh fuqinë e mjeshtrit në përdorimin e simboleve, elementeve të poezisë”, ka thënë Topanica, për të shtuar se Mustafa e njeh materien me të cilën e ndërton vargun apo veprën e tij artistike.
Krijuesi Sinan Sadiku ka thënë se veprat e poetit Aziz Mustafa janë vepra me fryte të pjekura poetike dhe se ai është një krijues bashkëkohor që ka vendin e vetë të merituar në letërsi, derisa për tri veprat e tija tha se hyjnë në rrethin e ngushtë të veprave më të mira të poezisë bashkëkohore shqipe.
Në prezantim është lexuar edhe një kumtesë nga Majlinda Bashllari, që jeton dhe vepron në Kanada e cila po ashtu ka vlerësuar lartë poezinë e Aziz Mustafës, e vet autori ka premtuar edhe krijim të tjera derisa ka përmendur promovimin e librit të parë bërë këtu e 17 vite më parë (“Pasaportë kam kafken time”), duke rikujtuar fjalët e përdorura në përmbyllje të atij takimi “…Besoni artit tonë…“ dhe kjo po ndodh tani, ka thënë ai.
MËSO TË THUASH JO
Poezi nga Aziz MUSTAFA
Mëso të thuash jo
Kur të shkulin mollët me rrënjë
Plehrat kur ti zbrazin në kokë
Dhe qenefet e botës para derës
Mëso të thuash jo
Të bërtasësh të rrahësh me grusht tavolinën
Kur të vjellin zorrët në sofër
Qentë kur shkërdhehen me ceremoni
Dhe kudrat kur ndërsehen dhe macat
Kur përmjerrin dhe përjargen
Jo thuaj o burrë i botës
Kur të zbrazin rafale automatiku
Mbi viktima të pafajshme
Të vetmin faj e kanë se kaluan atypari
Kur një vrasësi të paguar
Ua qua ta zbrazë
Mëso të thuash jo
Kur barazojnë xhelatin dhe viktimën
Kur të robërojnë prapë në emër të bashkëjetesës
Dhe ndarjeve të reja sfera interesi
Kur flamurin ta quajnë leckë
E gjuhën të paqenë dhe racën
Kur të thonë se ke pikur nga qielli
Mëso të thuash jo
Kur ti pshurrin vargjet dhe hymnin
Kur ti shkërdhejnë muzat dhe
Lirinë atdheun
Virgjërinë e artit ta ndyjnë
Jo jo jo bërtit si i çmendur nuk është turp
Shkumo rrah grusht në parlament tavernë nevojtore
Kur të thonë se nuk ke kurriz
Kur të thonë se nuk ke dashuri
Nuk ke **** kur të thonë
Mëso të thush jo të pështysh të kafshosh me dhëmbë
Kur të shtyjnë të abortosh zhvirgjërohesh kurvnosh
Mëso të vdesësh duke thënë jo
Sall për hatër të luleve fluturave yjeve
Jo të fortë të thuash si kështjellë
Nëse don të jesh NJERI