(2LONLINE) – Edicioni i katërt i Manifestimit tashmë që ka bërë emër në Kosovë e më gjerë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, përmbyllet nesër me vlerësimin nga ana e kritikëve letrar, të librit më të ri të shkrimtarit Sabit Rrustemi: “Murale shpirti”, edituar nga Shtëpia Botuese “ROZAFA” , nga Prishtina.
Prend Buzhala, kritik letrar, tha se ky libër është trajtë e një ditari poetik. Ai tha se poeti Sabit Rrustemi as nuk merret me kujtesën e as me ëndërrimet, por ballafaqohet me aktualitetin. Poeti mban qëndrim kritik ndaj zhvillimeve në shoqëri, kurse ajo që është e që e dallon në këtë vëllim, ai nuk kapërcen në të skajshmen, por e zgjedh urtinë.
Krijuesi dhe kritiku letrar, Nexhat Rexha, duke folur për librin e Sabit Rrustemit, tha se janë këto vargje me frymë më ndryshe, vargje me racionalizëm. Sipas tij, u lidhën kohë e ngjarje dhe kuptojmë që në vargun e parë autori na bënë me dije se është kjo një vepër në të cilën komunikojnë si preokupim bota poetike, përjetimet e shpërndarje ndjenjash e ku autori troket në portat e aktualitetit tonë.
Poeti e kritiku letrar, Arsim Halili, duke folur për librin e Rrustemit, tha se ky është një libër i veçantë me varg të skalitur me spontanitet krijues dhe me unitet ambiental e kohor. Në libër ka larushi tematike. Ai hap një ekspozitë tekstuale që nuk mbyllet në korniza.
E Bilall Maliqi, nga Presheva që ka përgatitur recensionin për këtë libër e ka çmuar lart librin më të ri të Sabit Rrustemit, derisa Fatushe Haliti, ka lexuar dy recensione për veprën e Rrustemit, e botuesi i këtij libri, Ramadan Mehmeti, tha se Rrustemi është njëri ndër poetët më të njohur bashkëkohorë, tejet produktiv dhe poet, prozator e publicist që sjell risi në artin letrar, andaj Shtëpia Botuese “Rozafa” botoi shumë vepra të tij dhe është krenare për një gjë të tillë.
Autori i vepr[s “Murale shpirti”, Sabit Rrustemi, tha se duhet të mësohemi që të ballafaqohemi me kritikën edhe atë kritikën e thellë e rigoroze. Ai tha se që nga 2008 mision parësor vetit i kishte vënë botimin e afirmimin e librit, sikurse edhe veprimtarinë krijuese.
Rrustemi kërkoi që poetët t’i kthehen profesionit të tyre – shkrimit të librave.
Ky është libri i 15 i Sabit Rrustemit e i dyti që shqyrtohet në Gjilan. Ai tha se ky është një shqyrtim kritik e që sipas Rrustemit një rol të madh luajtën edhe lexuesit.
Me këtë veprimtari letrare, edhe u përmbyll[ manifestimi i sivjem, i katërti me radhë, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, në kuadër të cilit, fillimisht u prezentuan botimet e vitit 2013 të Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu”, më pastaj, u prezantua romani më i ri i shkrimtarit të mirënjohur kosovar, Jusuf Buxhovit, “Jeniçeri i fundit”, u përkujtua me një Akademi, poeti tashmë i ndjerë, Haxhi Vokshi, u përurua libri më i ri i poetes gjilanase, Alektë Spahiut, “Muza jam unë” si dhe i poetit e kritikut letrar nga Dardana, Sinan Sadikut, “Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore shqiptare”, u prezantua dhe vlerësua portreti letrar i poetit , krikut dhe publicistit Shefqet Dibrani, u përurua libri i parë i prozatores së re, Xhenetë Çaka, “Grimca që prekin”, më pastaj, u bisedua për poezinë e poetit gjilanas, Aziz Mustafa si dhe u paraqit para auditorit të “Vjeshtës letrare…” shkrimtarja nga Tirana, Entela Kasi dhe romani i saj, “Të korrat e krishtlindjeve”. /2lonline/