/2L ONLINE/ – Dimër, momenti i ndërrimit të motmotit. Mendja me rrinte te familjet që janë duke jetuar në Priboc e te të gjitha të tjerat që janë në Malësi. Priboci e fshatrat tjera të Malësisë me reilev maloro- kodrinor, gjenden larg nga Gjilani e Bujanoci mbi 40 kilometra. Po ashtu u mungon infrastruktura rrugore, shëndetësore, tregtare e shume të mira tjera që i kanë banorët në vendet urbane.
Disa ditë më parë me Mefail Sadikun, Dervish Dervishin e Mefail Jonuzin kishim menduar që t’i vizitojmë familjet që janë duke jetuar në Priboc: Hafiz Musliun, Nevzad Abdullahun e Rexhep Hajdinin, këta dy të fundit janë kthyer vitin e kaluar (2016) dhe ende nuk kanë mundur të konsolidohen mirë.
Këtë vizitë na e përforcoi edhe më shumë edhe tentim dërgimi i një ndihme modeste, përkatësisht dhuratë për vitin e ri të përgatitur nga bashkatdhetarët e familjes Sadiku nga Hodonoci të cilët janë duke punuar në shtetet e jashtme.
Përkundër angazhimit qe t’i dërgojmë me kohë, nuk ia arritëm për shkak të ngricave dhe transportit. Këto dhurata të përgatitura nga bashkëvendësit është një përkrahje modeste, është një shenjë se nuk janë harruar ato familje që po jetojnë në fshat dhe shpresoj e besoj shumë se edhe në të ardhmen do të përkrahen edhe nga bashkatdhetarët e edhe nga komuna deri sa te konsolidohen ashtu si duhet, ngase fillimi i jetës në fshat për dy familjet e kthyera vitin qe shkoi, është e vështirë.
Këto dhurata arritën tek familjet me, 4. 1. 2017, pasi Rexhep Hajdini i kishte marre me kamionetën e tij ne Hodonoc. Megjithatë, ne, vizitën e bëmë me, 02. 01. 2017.
Për të shkuar te shtëpitë e tyre duhet të ecet këmbë nga Muhoci, përafërsisht në largësi 12/14 kilometra. Pasi kaluam policinë kufitare në Muhoc në këmbë, natyrisht paksa me frikë, pasi ata mund edhe te na kthejnë prapa për shkak se aty nuk është pike kufitare kaluese, (e për automjete me targa të RKS, mos te flasim se nuk mund të kalosh kurrsesi), udhëtojmë rrugës për Zarbice deri te përroi i Keves. Aty ngjitemi rrugës se rrëpijtë, e cila është hapur me eskavator në vjeshtën e vitit 2016 me kontributin e banoreve të lagjes së Sadikjave. Kjo rrugë na shpie te familja e Rexhep Hajdinit. Pas një ore udhëtimi nga ky vend, arrijmë te shtëpia e tij, i cili është kthyer këtë vit në fshat.
Afër shtëpisë e thërrasim me zë të lartë siç kemi thirrur dikur, ooooo Rexhepoooooo. Para se të na përgjigjet i zoti i shtëpisë, dëgjojmë zërat e fëmijëve të tij: eeeeeej. Me pas Rexhepi na thotë: pa e ditur se kush jemi: oooo hajde bujrum.
Nuk deshëm të hymë brenda fare, pasi kishim edhe disa kilometra per t’i takuar edhe Nevzad Abdullahun e Hafiz Musliun, e koha nuk na premtonte, se dita është tani e shkurtër. Një bisede të shkurtër e bëmë aty përjashta, por Rexha nuk na lëshoi pa na dhënë kafe, bile na luti shumë që të hamë edhe dreke. U habitem shume kur pame fëmijët që luanin në borë pa dorëza dhe nuk donin të dinin për të ftohtin. Rexha na tregon se, “përkundër që kam plane të investojë, nëse me ndihmon komuna apo dikush tjetër, e kam vështirë të mbijetojë pasi siç po e shihni edhe ju, këtu është jeta e vështirë, posaçërisht tani dimrit kur mbyllen të gjitha rrugët e nuk mund të lëvizësh nga shtëpia. Këtu mund te mbetesh edhe pa miell e lere më të të sëmurët dikush”.
Me pas vizituam Nevzad Abdullahun, i cili edhe ky i është kthyer vendlindjes verën e kaluar. Përkundër ndihmave të ofruara nga komuna e bashkëvendësit, e pamë se ishte sfide për të, në këtë dimër. Kishte qenë i vetëm në shtëpi, i cili posa na pa u gëzua pamasë. Qëndruam për një kohe e biseduam shume përzemërsisht.
Vizitën e vazhduam në familjen e bacës Hafiz, i cili, për momentin i ka punët më mirë se këto dy familje që i përmdëm me lartë, sepse është kthyer menjëherë pas luftës.
Të mirat që i ka fshati, vullnetit për të jetuar në vendlindje, deshirës se madhe për të mos e lenë këtë vend të të parëve të braktisur, i prishin, kohë pas kohe, lëvizët e ushtrisë serbe, të cilët për koincidencë i pamë po atë ditë në fshat, pikërisht i pame tek qëndronin te shkolla e dëmtuar e fshatit. Si duket ata na kishin përcjellë që kur kemi hyre në shtëpinë e Rexhep Hajdinit e rrugës për tek Nevzadi e Hafizi.
Çka është edhe më e keqja ata kishin kaluar edhe nëpër oborrin e shtëpisë së Rxhep Hajdinit, të cilët edhe pse nuk kishin fol asnjë fjalë, vetëm kalimi nëpër oborr me armë e tesha ushtarake, e takimi i rastësishëm me fëmijët e anëtarët e tjerë të familjes krijohet një dozë frike, një dozë presioni e krijimi i një psikoze nënçmimi për këto familje.
Për këtë kalim nëpër oborr, të ushtarëve serbe e për vizitën tonë, Rexha e kishte lajmëruar bacën Hafiz, i cili menjëherë ishte nisur drejtë shtëpisë së tij, me qellim që edhe t’u tregojë atyre, se ne ishim mysafirë të tij, ngase ushtarët serb mund të na kishin kërkuar lejeqarkullimin që duhet ta kishim marrë në Konçul, të cilin unë (Ismet Tafili) e Dervish Dervishi nuk e kishim.
Afër shtëpisë se Dervish Dervishit takuam Hafizin i cili na tha se dola qe t’u them këtyre ushtarëve qe ju jeni mysafire të mi, se mund edhe te ju provokojnë. Ndoshta ishte fat që nuk u takuam ballpërball me ta se edhe mund të na e kërkonin këtë lejeqarkullim e në mungesë të saj, si pasojë mund të kishim përfundur në gjykatën e Bujanocit siç ka ndodh me disa banorë të tjerë.
Posa hymë brenda në shtëpinë e bacës Hafiz, ushtarët serbë, që patrullonin, kaluan prenë shtëpisë se tij, për të vazhduar rrugën për Zarbicë. Bile, baca Hafiz i kishte takuar dhe u kishte kërkuar që të mos kalojnë nëpër oborre të shtëpive ku ka njerëz se ata frikohen, por edhe do të lajmërojë shtabin e tyre se po na provokoni. Ata si arsyetim i paskan thënë se ne i pame 4 gjuetarë dhe ata ishim duke i përcjellë. Po, nuk ishte puna e 4 gjuetareve, por ata ishim ne, 4 veta qe kishim ardhur nga Gjilani për vizite familjeve në fshat.
Pra, siç shihet, përkundër jetës sfiduese në fshat, përkundër largësisë nga qendrat urbane, mungesës se infrastrukturës rrugore, shëndetësore, tregtare, njerëzore etj, këta banorë të fshatrave intrigohen edhe me praninë e kohëpaskohshme të ushtrisë serbe, të cilët edhe pse në paraqitje duken se janë të qetë e deklarohen se u mbrojmë juve, vetë prania e tyre me uniformë e me armatim, kalimi nëpër oborre flet shumë për ata banorë atje e për atë vend.
Prandaj, bashkatdhetarë të nderuar, komune e Bujanocit, këto familje meritojnë t’i ndihmojmë ne çdo formë, se aty, tani për tani, jeta është e vështirë me të papritura e me sfida tjera.
/Ismet Tafili/