(2L ONLINE) – Është përuruar projekti i Parkut të qytetit të Vitisë, projekt ky i financuar nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Organizata ndërkombëtare për migrim në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale , në kuadër të programit Kosova e bukur faza e dytë.
Në ceremoninë solemne që u mbajt me këtë rast, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë Kristof Stock, u shpreh se realizimi i këtij projekti po tregon se Bashkësia Evropiane është e gatshme dhe e interesuar që të investoj në komunën tuaj.
“Shpresoj se kontributi dhe financimet e BE-së do të mundësojnë që jeta në përgjithësi të bëhet më e mirë këtu në Viti, e njëkohësisht të përmirësohet edhe natyra si dhe krejt Kosova ashtu siç është edhe moto e projektit “Kosova e bukur II”. Por ajo që vlen të përmendet, se më këtë punë që është kryer, janë krijuar mbi 50 vende pune që ka mundësuar edhe shanset për disa punëtorë për punën të mëtejme”, ka thënë Stock.
Ai më tej kë kërkuar nga qytetarët vitias që ta mirëmbajnë këtë park dhe më këtë mirëmbajtje siç u shpreh, do të shpaguhet investimi që e ka bërë BE-ja këtu në Viti.
Stock ka falënderuar për bashkëpunim tejet të mirë kryetarin e komunës së Vitisë dhe për idenë e rregullimit të parkut të qytetit, ndërkohë ka potencuar se së shpejti do të filloj së realizuari edhe projekti i meremetimit të Shtëpisë së Kulturës në Viti.
Ndërsa shefi i organizatës ndërkombëtare për migrim IOM Horhe Baka, falënderoi të gjithë për kontributin e dhënë në ndërtimin e këtij parku. Ai ka njoftuar se kosto e këtij projekti ka qenë 79 mijë euro, ku kanë gjeneruar 53 vende pune, që pjesa dërmuese e tyre kanë qenë të përzgjedhur nga Qendra për Punësim të identifikuar si të papunë për kohë të gjatë.
Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka theksuar se kjo iniciativë e realizimit të këtij projekti, ka qenë ide ekipore dhe e përbashkët pasi që ka qenë nevojë e kohës që të ketë Vitia një park të mrekullueshëm.
“Ky park do të jetë i shfrytëzueshëm për të gjitha kategoritë, pasi posedon këndin e pensionistëve, këndin e rinisë dhe këndin e fëmijëve. Edhe ky projekt vjen si rezultat i projekteve të tjera që janë realizuar dhe pritet të realizohen në të ardhmen në komunën e Vitisë e që kanë për qëllim mirëqenien e të gjithë qytetarëve të kësaj komune. E meritojnë një falënderim të veçantë përfaqësuesit e BE-së pasi që dihet se Vitia është njëra ndër përfitueset kryesore të fondeve të Bashkimit Evropian, që pos këtij projekti të parkut që po e përurojmë sot, kemi edhe projektin e Shtëpisë së Kulturës, projektin e bashkëpunimit ndërkufitar, projektin e realizuar në shkollën e Vërbanit dhe projektin e ndërtimit të administratës komunale”, ka thënë kryetari Haliti.
Pas prerjes së shiritit, është hapur edhe një ekspozitë me punime nga artistët vitias, ndërsa për donatorëve dhe atyre që kontribuuan në realizimin e këtij projekti Institucionet komunale i nderuan me mirënjohje./2L ONLINE/