(2L ONLINE) – Instituti Demokratik i Kosovës (KD) në konferencën vjetore me përfaqësuesit institucioneve qendrore, komunave dh shoqërisë civile me temë “Pasqyra e komunës një vit pas zgjedhjeve lokale” , ka publikuar raportin monitorues për vitin 2014 të 18 komunave, nga gjithsej 38 të Kosovës. Në bazë të këtij raporti Komuna e Vitisë, është ndër komunat më të mira në Kosovë për sa i përket konsultimit publikut dhe adresimit të kërkesave të qytetarëve.
“Disa komuna kanë qenë të vëmendshme për të konsultuar banorët e komuniteteve të tyre si Vitia, Prishtina dhe Rahoveci. Por shumë nga udhëheqësit lokal nuk kanë dhënë llogari dhe konsultuar para qytetarëve siç e kanë obligim ligjor dhe moral”, është thënë në këtë konferencë.
Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, i cili në konferencën e KDI-së, pati rolin e panelistit në temën, ku Vitia morri vlerësimin më pozitiv, atë për konsultimin e publikut dhe adresimit të kërkesave , ka thënë se qeveria lokale si dhe kuvendi komunal në Viti, në punën e vetë një vëmendje të veçantë i kanë kushtuar krijimit të mundësive dhe mekanizmave që qytetarët të jenë sa më afër vendimmarrjes, pasi gjitha vendimet që merren në konsultim me qytetarët pos që përkojnë me interesat e tyre janë edhe më lehtë të zbatueshëm .
”Hapat e parë që kemi marr si institucione komunale për sa i përket ngritjes së nivelit të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje si dhe konsultimin e publiku ishin funksionalizimi i plot i këshillave të fshatrave, si mekanizma të zgjedhur nga vetë qytetarët, e ku në këtë drejtim pos organizimit të takimeve të rregullta, ku me përfaqësuesit e fshatrave janë diskutuar nevojat dhe prioritetet e qytetarëve, kemi organizuar edhe aktivitete të përbashkëta siç ishte aksioni mbarë komunal fshatin më të bukur, ku vetë qytetarët janë mobilizuar e komuna i ka mbështetur në pastrimin e ambientit ku jetojnë”, ka thënë Haliti.
Ai ka theksuar se mbi bazën e takimeve dhe konsultimit me qytetarë, Vitia, ka mbështetur edhe kërkesat e qytetarëve si ato që kanë të bëjnë me sigurimin e ujit kualitativ për pije në shkollat e Vitisë, ku si komunë pas kërkesave të qytetarëve kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes komunës së Vitisë dhe Institutit të Shëndetit Publik për analiza të rregullta kimike dhe bakteriologjike të ujit të pijes në shkolla, si dhe financimin e projektit për filtrimin e ujit të pijes në 17 shkolla projekt ky që u realizua në bashkëpunim me Rotary Club Vitia dhe Rotary Club Prishtina.
“Se sa vërtet si komunë i kushtojmë kujdes konsultimit të publikut, shembull më i mirë është procesi i planifikimit të buxhetit, ku komuna e Vitisë është ndër komunat e rralla në Kosovë që procesin e planifikimit të buxhetit e ka bërë në konsultim të plot me qytetarët, pasi gjatë gjithë procesit të planifikimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2015-2017, ka organizuar 14 takime publike me qytetarë, përfshirë këtu edhe takimet e veçanta me gratë, personat me nevoja të veçanta si dhe minoritetin serb, është shprehur Haliti.
Ai ka theksuar se qeveria lokale, është angazhuar që qytetarëve t`iu jep hapësirë edhe në pjesëmarrjen e tyre në komisionet mbikëqyrëse të projekteve që kanë të bëjnë me investime kapitale, pastaj në angazhimin e tyre në dy komitete konsultative, ai për pjesëmarrje të qytetarëve dhe komiteti për persona me nevoja të veçanta, në përfshirjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile në komitetet jo obligative, inicimin e memorandumit të përbashkët me shoqërinë civile për pjesëmarrje të anëtarëve të organizatave jo qeveritare në monitorimin e hapjes së ofertave dhe përzgjedhjen e kompanive fituese për realizimin kontratave të ndryshme me komunën.
Sipas tij, qeveria lokale në Viti, është angazhuar që të jetë sa më transparente në punën e saj , ku pos raportimit të rregullt të pasqyrave financiare mbi shpenzimet dhe të hyrat e komunës para kuvendit komunal, konferencave të rregullta shtypi, është nënshkruar edhe një memorandumi të mirëkuptimi me organizatën Open Data Kosovo, ku komuna është zotuar se do ti ofroi kësaj organizate gjitha të dhënat që kanë të bëjnë me prokurimin publik që këto të dhëna të publikohen edhe për qytetarë.
“Pos kësaj, si komunë jemi angazhuar në ofrimin edhe të shërbimeve për qasjen e qytetarëve në dokumentet zyrtare, angazhim ky që ka mundësuar që qytetarëve dhe grupeve tjera të interesuara për qasje në dokumente zyrtare të vijnë më lehtë tek kërkesa dhe marrja e përgjigjes nga komuna për të gjitha dokumentet që janë interesuar:, ka thënë Haliti, duke potencuar se në vitin 2014, qasje në dokumentet zyrtare në komunën e Vitisë, kanë kërkuar 17 palë të interesuar si OJQ, këshilltarë komunal, parti politike dhe qytetarë, dhe gjitha këto kërkesa me kohë kanë marr përgjigjeje me shkrim apo gojë nga komuna.
Kryetari Haliti, ka theksuar se raporti monitorues i KDI-së është një mundësi e mirë për gjitha komunat që të reflektojnë mbi punën e tyre dh është zotua se gjitha rekomandimet që i janë adresuar komunës së Vitisë në këtë raport do të përmbushe në afat prej gjashtë muajve.
Kurse, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka thënë se derisa viti 2014 është karakterizuar si një vit kryesisht si joefektiv për nivelin qendror të qeverisjes, ky vit ka qenë mjaft dinamik për vetë-qeverisjen lokale, ku janë vërejtur përmirësime në qeverisje. Por sipas tij ka ende shumë për tu bërë.
E, Jetmir Bakija udhëheqës i programit për monitorim të komunave nga KDI, ka theksuar se shumë komuna ende dalin të kenë probleme serioze me furnizim të pijshëm të ujit (12 komuna), menaxhim të mbeturinave dhe ndotjes (10 komuna), qasje në kanalizim (6 komuna), shërbime shëndetësore (5 komuna), por edhe ankesa për politizime të punësimeve në komunë (6 komuna).
”Përkundër këtyre nevojave të qytetarëve në këto komuna, me Buxhetin e Kosovës për vitin 2015, 27 komunave u janë zbritur fondet për investime kapitale dhe 12 komunave u janë zbritur fondet për subvencione, krahasuar me vitin 2014. E gjitha kjo si pasoj e rritjes së pagave të punonjësve publik me vendimin e Qeverisë së Kosovës në prill të vitit 2014.”, ka thënë Bakija./2L ONLINE/