(2L ONLINE) – Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve të Komunës së Vitisë që është mbajtur sot janë prezantuar pasqyrat financiare Janar-Dhjetor 2014, propozim vendimi për dislokimin e tregut të gjelbër dhe ndërtimin e një parku në fshatin Pozheran të Vitisë. Po ashtu është folur edhe për një projektin e ndërtimit të trotuarit dhe ndriçimit publik në rrugën Lidhja e Prizrenit në Viti i cili parashihet të financohet me 70% të mjeteve nga projekti DEMOS ndërkaq pjesa tjetër do të financohet nga buxheti Komunal i Vitisë.
Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama duke prezantuar pasqyrat financiare për periudhën Janar-Dhjetor 2014 ka folur për të hyrat vetanake të komunës, shpenzimet e realizuara, dhe pagesën e borxheve nga qeveria e kaluar.
“Gjatë kësaj periudhe një vjeçare janë inkasuar gjithsej të hyra vetanake në vlerë prej 876.595,32€, ku shkalla e inkasimit, duke u bazuar në planifikimin vjetor është 95,96%. Ndërsa krahasuar me të hyrat e vitit 2013 kemi një rritje të të hyrave për 208.409,14€ apo 31,19%” u shpreh Drejtori Rama. Ndërkaq duke folur për shpenzimet e bëra në të gjitha kategoritë ekonomike ai potencoi se janë shpenzuar 9.674.521,13€ apo 99.14% por shtoi se nga kjo shumë 295.591,36€ janë paguar obligime të vitit 2013.
Drejtori Rama gjithashtu tha se Qeveria Komunale e Vitisë ka qenë e përkushtuar të ul shpenzimet për derivate të naftës, mirëmbajtjen e veturave etj por pa e penguar ritmin e punës. Kemi qenë të përkushtuar të ulim shpenzimet e panevojshme dhe kështu mjetet e kursyera janë bartur në investime kapitale.
Ndërkaq Fatbardha Emini, Drejtoresh për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit prezantoj propozim vendimi për dislokimin e tregut të gjelbër dhe ndërtimin e një parku në fshatin Pozheran të Vitisë duke theksuar se komuna e Vitisë ka mbajtur një diskutim publik me banorët e këtij lokaliteti dhe se ata u pajtuan për zhvendosjen e tregut në një lokacion tjetër me qëllim që të atë vend të ndërtohet parku i fshatit.
Gjatë këtij takimi është folur edhe për rregullimin procedurave me qëllim që të mundësohet realizimi i një projekti për ndërtimin e trotuarit dhe ndriçimit publik në rrugën Lidhja e Prizrenit në Viti i cili parashihet të financohet me 70% të mjeteve nga projekti DEMOS ndërkaq pjesa tjetër do të financohet nga buxheti Komunal i Vitisë. /2L ONLINE/