(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimin e sotëm të UEFA-së për ndeshjen Serbi – Shqipëri. Përmes një komunikatë Lëvizja Vetëvendosje vlerëson:
Vendimi i UEFA-së për ndeshjen Serbi – Shqipëri i ka dhënë fitoren Serbisë. Më pas ata e kanë penalizuar Serbinë me tri pikë, duke e barazuar me Shqipërinë në ndëshkim, nga zero pikë secila dhe me nga një gjobë të barabartë. Por, fitorja iu dha Serbisë, qoftë si numër golash, qoftë si shpërblim moral.
Ky vendim normalizon thirrjet raciste brenda dhe jashtë stadiumit për të vrarë gjithë shqiptarët. Ky vendim normalizon hyrjen në fushë nga tifozët, madje edhe të atyre me precedentë të njohur kriminale. Ky vendim normalizon terrorin që kanë pësuar lojtarët e kombëtares, të mbajtur nën tension nga policia, të rrahur nga tifozët dhe kujdestarët e fushës.
Qëndrimi i UEFA-së i ngjan shumë qëndrimit zyrtar të institucioneve të BE-së ndaj Serbisë në raport me kombin shqiptar. Ashtu si UEFA në vendimin e saj, BE-së në marrëdhëniet ndërkombëtare i ka munguar vullneti politik për të ndërmarrë masa kundër ekspansionit të trashëgimtarëve të Millosheviçit që janë sot në krye të shtetit në Serbi. Në vend që të veprojë kundër, BE-ja po punon për t’i kënaqur këto përpjekje në kurriz të drejtësisë për kombin tonë. Ky “neutralitet” është mohim i të drejtave politike të popullit shqiptar dhe favorizim i politikave raciste të Serbisë.
Dy shtetet shqiptare duhet të veprojnë sa më parë për një politikë të re unike të jashtme, veçanërisht karshi shtetit Serb. Historia dhe e tashmja na dëshmojnë se një shtet me tipare të tilla raciste nuk ndalet duke ia përmbushur atij synimet, por duke e kushtëzuar atë drejtpërdrejt deri në ndryshimin e politikave ekspansioniste. Sa kohë që Kosova dhe Shqipëria do të qëndrojnë si dy shtetet të ndara aq më shumë do të thellohet padrejtësia ndaj kombit shqiptar.
Duhet të heqim dorë nga politikanët e korruptuar dhe të paaftë që qëndrojnë në pushtet veç ngaqë i premtojnë të tjerëve nënshtrimin e popullit tonë. Gjendja e rëndë e shoqërisë shqiptare është pasojë edhe e politikave të ndjekura prej tyre.