Policia e Kosovës ka arrestuar Sekretarin Organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqajn ndërkohë që ai ka qenë duke shkuar në një emision televiziv ku ka qenë i ftuar. Lidhur me ktë ka reaguar Vetëvendosje.
“Arrestimi i Dardan Molliqajt është një sulm politik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, i planifikuar dhe i ndërmarrë prej strukturave shtetërore që vijojnë të keqpërdoren në interes të qeverisjes se PDK-së që është në ditët e saj të fundit.
Ky arrestim synon qartazi dëmtimin dhe pengimin e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore, duke pasur parasysh edhe që Dardan Molliqaj ka qenë Drejtues i Shtabit të Përgjithshëm Zgjedhor, në Lëvizjen Vetëvendosje.
Lëvizja Vetëvendosje bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të aktivistit Dardan Molliqaj. Arsyetimi zyrtar i arrestimit është pjesëmarrja në protesta. Ne e konsiderojmë pjesëmarrjen në protesta të drejtë themelore qytetare dhe demokratike. Përndjekja e qytetarëve për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protesta synon të shuajë frymën e opozitës reale, si dhe të imponojë konsensusin me veprimet e elitës politike në dëm të vendit tonë, ekonomisë tonë, dhe qytetarëve tanë.
Por, qeveria në largim dhe aleatët e saj të heshtur kinse-opozitarë duhet të dijë mirë se nuk do t’i shpëtojnë dot drejtësisë dhe ndëshkimit të merituar që do ta marrin në 8 qershor prej qytetarëve të cilët masivisht po e kuptojnë natyrën e vërtetë të atyre që kanë sunduar përmbi ligjin dhe përmbi drejtësinë në 15 vitet e fundit”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.