(2L ONLINE) – Kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Gjilani, Ismajl Kurteshi, Besa Baftiu dhe Shemsi Syla, shpalosën programin e Lëvizjes Vetëvendosje për Arsimin dhe Shkencën. Ky sektor sipas kandidatëve të Vetëvendosjes është tejet i rëndësishëm, e këtë e mbështet edhe rëndësia e kushtuar këtij sektori në Alternativën Qeverisëse.
Ismajl Kurteshi duke u nisur edhe nga përvoja e tij si punëtorë i arsimit dhe si person që ka qenë përgjegjës për arsim, tha se ne Lëvizja Vetëvendosje mendojmë që arsimi është një e drejtë e pamohueshme për të gjithë, në mënyrë të barabartë e pa diskriminime. Pra, ne menojmë që shteti e ka për obligimin që të ofrojë mundësi për qasje në arsim cilësor. Në anën tjetër, me Lëvizjen Vetëvendosje arsimi publik në të gjitha nivelet do të jetë falas.
“Ne nuk e shohim arsimin vetëm si përgaditje profesionale, por edhe mënyrë për ndikim të drejtëpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit. Pra, lidhja e arsimit me fusha të caktuara të ekonomisë e shëndetësisë është e domosdoshme, në mënyrë që këto dy fusha të arrijnë në nivelin e duhur” shtoi Kurteshi.
Në anën tjetër Shemsi Syla i cili po ashtu ka një lidhje me profesionin e arsimit, shpalosi programin dhe rregullimin e niveleve të ndryshme të arsimit sipas Lëvizjes Vetëvendosje. Syla tha se në nivelin parashkollor, në Kosovë janë të përfshirë vetëm 3.5% e fëmijëve. Pra, hapja e paraleleve parashkollore në të gjitha shkollat e vendin është hapi i parë për përmirësimin e gjendjes. Kurse në arsimin fillor dhe të mesëm ne mendojmë që numri i nxënësve në klasa nuk duhet të jetë më i lartë se 25. Ndërsa për arsimin e lartë Syla tha se Universiteti i Prishtinës tash e sa kohë është në degradim e sipër. Lëvizja VETËVENDOSJE! tarifat e pagasave për semestër do ti heq nga institucionet publike. Ne do të krijojmë fonde të posaçme që do të stimulojnë studentët të orientohen në degë të rëndësishme strategjike për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, me fokus të veçantë në shkencat egzakte, bujqësi, inxhinieri dhe mjekësi.
Besa Baftiu u fokusua në punën kërkimore dhe shkencore duke thënë se ne mendojmë që programet e doktoraturës në institucionet e arsimit të lartë duhet të jenë të lidhura ngushtë me veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe, në fakt, ato duhet të operojnë vetëm në fushat ku ka një veprimtari të tillë. Ne jemi të përkushtuar që nga buxheti i Konsoliduar i Kosovës, për Arsim dhe Shkencë të ndahet shuma prej 5% të Bruto Produktit Kombëtarë. Pra, shkenca dhe hulumtimi me Lëvizjen Vetëvendosje do të jenë prioritare dhe do të ndihmojnë në identifikimin e rrjedhimisht edhe eleminimin e problemeve të ndryshme shoqërore, në sfera të ndryshme.
/e sponsorizuar/