Dje, Policia e Kosovës arrestoi aktivistin e VETËVENDOSJE!-s, Agron Kabashi, ndërsa sot u arrestua edhe aktivisti tjetër Kushtrim Avdimetaj. Po ashtu dje, Gjykata Themelore e Prishtinës, u caktoi nga 30 ditë paraburgim 17 personave të tjerë, nga të cilët jo të gjithë ishin protestues dhe aktivistë. Ndërkohë, policia është duke përndjekur edhe disa aktivistë të tjerë, thuhet në një njoftim të Vetëvendosjes.
Projektet që janë në shpërputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve, nuk realizohen ndryshe veçse duke përdorur policinë kundër qytetarëve. Dhuna policore është masë dëshpëruese dhe e fundit që i mbetet një Qeverie, para se të tërhiqet. Nuk njohim ndonjë regjim që ka mundur të mbijetojë përgjithmonë, përmes dhunës policore. Ndërkaq, njohim shumë vende ku reagimi dhe kundërshtimi qytetar ka bërë pushtetet që të dorëzohen.
Qeveria Mustafa-Thaçi, i ka vetëm dy rrugë: ta burgosë opozitën ose të heq dorë nga marrëveshjet. Ajo po mundohet ta bëjë të parën, por duke e burgosur opozitën s’do mend që do të detyrohet ta bëj edhe të dytën, pra të heq dorë nga marrëveshjet.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon arrestimin dhe burgosjen e aktivistëve si dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre.