Ishte fillimi I viteve tetëdhjeta. Ishte post koha e demonstratave të mëdha studentore dhe gjithë popullore, për Kosovën Republikë në kuadër të ish RSFJ.Unë isha në udhë prej trembëdhjetë të bëhesha katërmbëdhjetë. Dhe kisha një urrejtje të papërmbajtshme dhe sa nuk shpërtheja kundra çdo gjëje që kishte firmën serbo-jugosllave. Kuptohet se e gjithë ky vrerë imi kundra pushtuesit ishte ndikuar nga ajo çfarë kisha dëgjuar, por edhe nga ajo çfarë kisha parë me sytë e mi që nga mosha e vogël! Gjurmë të pa shlyera dhe që të përcjellin tërë jetën dhe ndikojnë edhe në krijimin e personalitetit tënd. E si të mos jenë kur kujton:
Vëllau dy vjet më I madh se unë që isha pesë vjeç më duket, kishte gjetur një bombë në një qoshe të plemes dhe më thirri të më tregonte se çka kishte gjetur. Shkova,e morëm në dorë dhe filluam të filozofonim se si po Ia hoqe këtë siguresën eksplodon e kështu vazhduam ne deri sa na gjeti për fat gjyshi. Ay edhe ashtu hije rëndë siç ishte na tmerroi e lene ma qortimin e rreptë që mezi e kaluam me kaq. Pastaj ay na rrëfeu për të gjitha. Tha -Kjo bombë edhe fyshekët që po I gjeni kur po groposni duke luajtur nëpër oborr e edhe gishtat e mijë të ngrirë të këmbës janë mbetje dhe pasojë e luftës dhe rezistencës që unë së bashku me bashkëluftëtarët tjerë nga këto anë I kemi bë aradhave çetniko-partizane, për të mos I lejuar të futen në tokat tona, pas luftës së dytë botërore. Por për fat të keq nuk ja arritëm të I ndalojmë, jo pse nuk mundem ne por se kishte një tradhti të madhe. Kështu që këto mjete lufte që po I gjeni ju janë ato që I kemi fshehur ne pasi mbaroi e tëra. ”Dhe më kujtohet se na thoshte “keni kujdes. serbit nuk I zihet besë”.Pastaj erdhën ngjarje tjera të rënda e u radhitën në kujtesën time si një film I keq.
Në fund të rrezes po luanim ne fëmijët sakaq andej nga lumi nga ana e Gjilanit, pamjen tonë mbuluan dhjetëra uniforma policësh jugosllavë të cilët në mes kishin futur axhën Hetë dhe po e sillnin drejtë nesh me duar të lidhura para. Dhe më kujtohen duart e tija të lidhura që përkëdhelën kaptinat tona të vogla e të hutuara nga pamja! Pastaj skena tjetër kur erdhën dhjetëra policë nga Presheva dhe okupuan oborrin e shtëpisë sonë në Katun që ta merrnin me vete axhën tim të ndjerë Milazimin! Dhe krekosjet e okupatorëve si ajo kur njeri nga milicët iu drejtua gjyshit me fjalët-”O Shabi Seferi ne kemi kontrolluar edhe shpinë tuaj në Gjilan, edhe atë edhe themelet ia kemi gërryer dhe ta kemi gjet një manxerrkë dhe ta kemi marrë”. E gjyshi si gjyshi -”Ju keni marrë atë e shumëçka tjetër por vullnetin tonë nuk e merrni dot si dhe sapo të shkoni ju unë do ta blejë një tjetër manxerre”. Pastaj dy milicë nxorën jashtë shtëpisë axhën Xim dhe deri sa po zbriste shkallët gjyshi I tha -”O Ximo po ku po shkon more djalë ashtu në këmishë!” E axha Xim tha-”po hajt se nuk ashtë ma koha e krajlit”. Ay në të vërtetë e dinte se çka e priste por nuk deshi të ia shtojë dhembjen të jatit!
Kjo kujtesë dhe të tjera sekuenca të rënda që përjetova jo vetëm në familje por edhe popullit tim më kthejnë aty ku e lamë!
Kishte një fushë aty afër varrezave, serbe ku ne si fëmijë që ishim dymbëdhjetë, trembëdhjetë…vjeç luanim në të shumtën futboll. Edhe atë ditë që ishte ditë pranvere jo të vonshme luajtëm. Kur mbaruam u afrova afër një varreze serbi, zura vend mbapa gurit ku I ishte shkruar epitafi dhe I cili kishte një kryq të lakuar/dëmtuar sipër, dhe zura tu flas fëmijëve tjerë që ishin ofruar aty përpara se si pak e kanë që dikush ua paska prishur simbolet por këta nuk duhet ti kenë fare varret këtu. Pas pak u larguam nga aty dhe shkuam secili nga shtëpitë e tyre. Mua nuk më lanë të arrija shpinë time. Më zunë shumë afër sajë. Ndaloi një maricë, milici pranë këmbëve të mia hapen dyert, dolën jashtë më pyeten a je ti Xhelili? U thash po. Mi vunë prangat e drejtë e në atë maricën e tyre të famshme. E pastaj dihet. Në burg!
Ishte diku pak para se të binte errësira. Unë I veshur vetëm me një maicë po “shijoja” për herë të parë si trembëdhjetë vjeçar ambientet e ftohta të një qelie burgu Serbo-Jugosllav në kohë të një pranvere të hershme. Ishte një dhomë e vogël, e zbraztë, me një dritare pa xhama, por e mbyllur me grila dhe me pamje nga askund. Një dysheme me çimento dhe dy tri dërrasa të vogla që ishin nxjerrë po nga dyshemeja me çimento e nuk e di se si por se e kishin vendin mu aty dhe shiheshin pjesë të dërrasave të tjera të mbuluara me çimento. Unë edhe pse isha lodhur po rrija këmbë po mërdhija dhe po prisja se çfarë do të ndodhte.
Ndërkohë, sa po rrija ashtu pashë të futura në grilat e dritares, me zor një palë karta loje! I mora dhe u dëshpërova kur e pashë se nuk ishin të gjitha por vetëm një pjesë nga shuma e pesëdhjetedy sosh! Por zhgënjimi për kartat e lojës nuk më zgjati shumë se më erdhi për “vizitë” ay që ma hoqi mërzinë në vazhdim duke më rrahur për orë të tëra ashtu si isha me duar të lidhura. Ay polici kishte edhe një sistem të tijin për të më rrahur. Më rrihte trupit, kokës. Por më së shumti duarve me atë shkopin e e tyre të famshëm pendrekun. Edhe atë me orar në çdo gjysmë ore! Kështu më tha në fillim se do të vinte çdo gjysmë ore e do më rrihte deri sa unë ta pranoja se I kisha thyer e dëmtuar varrezat e serbëve.
Dhe e mbajti fjalën dhe erdhi pas gjysmë ore. Ndërkohë që ay nuk vinte si I lodhur dhe I dërmuar që isha sa nga tortura fizike edhe nga ajo që kishim luajtur gjithë ditën nuk qëndroja dot në këmbët e mia dhe trupi kërkonte pushim. Po ku s kisha vend as ku të ulesha e lëre ma të shtrihem. Dikur mora ato dy-tri dërrasa të vogla I bëra bashkë dhe ulesha në to derisa nuk vinte ay, milici që nuk ia mësova dot emrin. Se pyeta njëherë për emrin dhe nga ashtë por normal që nuk ma kallëzoi vetëm se shprehi habi se si më binte nërmend për gjana të tilla. Kur ulesha në ato dërrasa, strukesha përpara ashtu që fusja dy krahët mes gjunjëve se mërdhija dhe më bëhej se pak I ngrohja krahët e zhveshur. Por nuk zgjaste shumë dhe më duhej të ndërroja pozitën sepse kur përkulesha para për tu ngrohur më ngritej maica deri mes shpine kështu që mërdhinte shpina.
Provoja të ngrohesha herë ashtu e herë kështu deri sa më vinte ay shipja me uniformë milici dhe më “ngrohte” prej së vërteti. Kaq shumë më binte me pendrek duarve sa ato filluan të më bëheshin të zeza. Dhe kur e hetoi ay këtë më urdhëroi që të shkoja në banjo e të I pastroja me ujë të ftohët. Por nuk mjaftoi se ato që nga shuplakat e deri në brendi të kraharorit më ngelen për ditë të tëra të zeza!
Natën vonë,kur këtij milici nuk I mjaftoi dhe nuk mori ato përgjigje nga unë të cilat ay dëshironte më nxori nga ajo dhomë dhe më dërgoi në një dhomë tjetër që ishte aty pranë! Ajo dhomë ishte akoma ma e tmerrshme. Në katër anët e mureve rridhte ujë pa pushim dhe si pasojë edhe dyshemeja ishte e mbushur me ujë e tëra, që shkonte në disa centimetra! Nuk më kujtohet se sa më kanë mbajtur aty por e di se ishte punë orësh. Pastaj dikur vonë,ndoshta në kohen kur atij milicit I kishte ardhur koha e gjumit më ka kthyer prapë në atë dhomën e më parme. Dhe kështu deri në mëngjesin e ardhmë. Kur dikur në orët e vonshme të mëngjesit më merr ky farë milici dhe më qon në një dhomë në katin e dytë!
Aty ishte një civil që u mundua të më bindte të jepja deklaratë dhe të nënshkruaja. Ay nuk më rrahu. Vetëm se një shpullë ma dha sepse e nervozova, kur ay më tha se nëse bashkëpunojë me ta ata do më dërgonin ku dua unë në shkollë dhe do më bënin ku dua unë drejtor të një fabrike.
E kur unë I thashë se kurrë s’ka për të ndodhur një gjë e tillë. Pastaj kur edhe ky hoqi dorë nga unë thirri milicin dhe ay më mori dhe më qoi në një dhomë tjetër po në katin e njejtë! Më la vetëm për disa qaste. Dhe kjo nuk zgjati shumë dhe çka me pa erdhën pesë a gjashtë civilë, barkmëdhenj dhe filluan të më pyesnin. Unë prisja grushta e shkelma por për çudinë time nuk ndodhi. Por njeri nga ta më tha -”a t’kan kallxu mixhallaret tu se çka ju kemi ba n’burg? Ty hala ma zi kemi me ta ba kemi me të repë”…E tani më duhej të përgatitesha edhe për ma shumë. Ikën dolën këta. Erdhi ay milici. Më mori më qoi në dhomë që akoma sot shërben si parahyrje burgu. Aty kishte karrika. Dhe u ula më në fund. Po prisja. Erdhën ndërkohë dy milicë. Flisnin mes tyre serbisht dhe po hanin byrekë. U ulën aty pranë. Njeri nga ta mu drejtua shqip dhe e pashe se ishte shqiptar. Pse je ardhë k’tu? Unë ngrita krahët! Ay pastaj u ngrit në këmbë u afrua tek unë dhe më tha -”nuk e di a? ”Dhe filloi të më binte kokës me shkopin e gomës-pendrekun. Ndërsa ky shqipfolësi më binte dhe më shante ay milici tjetër serb shikonte dhe hante byrekun. Sepse punën e tij e kryente shërbëtori I regjimit të tijë. Ata hëngrën byrekët e tyre, shuan urinë dhe sadizmin e tyre mbi kokën e një fëmije dhe shkuan. Mua erdhi më mori gjyshja ime Refiqja, ndjesë pastë. Por me premtimin se do paraqiteshim prapë në një ditë të caktuar!!!
…Dhe ky ishte vetëm një episod I “lehtë” I tmerrit të që përjetoi familja ime në ish serbo-sllavi shikuar nga perspektiva ime!
/Xhelil ARIFI/2L ONLINE/