(2LONLINE) – “Shprishja e ëndrrave”, libër me poezi e autorit gjilanas Jusuf Bilsimi, është botuar në gjuhën rumune me titull “Prabusirea viselor”. Ky libër, i cili për lexuesin vjen në gjuhën shqipe dhe atë rumune, sipas kritikut Ioan N. Rosca, kur shqiptarit të Kosovës i kanoset rreziku për humbjen e e lirisë apo të dashurisë, i duket se qielli i ra mbi të, se kodra u shemb, mu ashtu siç shprehet autori Jusuf Bislimi në një poezi të tij, se hëna humbi rrezet, se sytë u errësuan, se zemra m’u përmbys.
Falë përkthimit artistik të Baki Ymerit, Jusuf Bislimi i është prezantuar edhe publikut rumun dhe me këtë album perlash poetike ai afron dy vende, dy popuj, dy gjuhë, dy kultura dhe një univers identik të ndjeshmërisë ndërmjet njerëzve.
Nëpërmjet këtij libri, autori Jusuf Bislimi, me përvojën e tij krijuese ka sjellë për lexuesin kosovar, por edhe atë rumun copëza jete të ruajtura në arkivin e memories së tij. Të cilat komunikojnë me dlirësi rinore me ne, sidomos kur kemi të bëjmë me jetën idilike të kohës, duke ia prezantuar lexuesit kujtimet dhe përjetimet e asaj kohe përmes poezisë. Këtë e pohon edhe kritiku Ismet Canhasi, i cili për poezitë e Bislimit thekson se filozofia e shprehur në këto perla poetike, është aq e fortë, sa që krijohet përshtypja se para nesh është një poet që i jep rëndësi filozofisë moderne të të menduarit për jetën dhe dashurinë, duke patur për personazh qendror në poezitë e tij dashurinë.
Deri më tashti, Jusuf Bislimi është autor i veprave: “Kush e zgjon ditën”, “Loti në qepallë, “Flakë në zemër”, “Mbi krahët e lumturisë”, “Ferr apo parajsë” dhe vepra “Shprishja e ëndërrave”, e cila është botuar edhe në gjuhën rumune, libër ky që doli në dritë në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë në kuadër të bibliotekës “Literatura albaneza”./2lonline/