(2LONLINE) – “Talia e flakës (gjithё)kombёtare, e cili mbahet njёherё, nё vit nё kuadёr tё Manifetimit shumёkulturor “Flaka e janarit”, këtë vit (2014) filloi me dramën “Zonja me maskë” e autorit Osman Goranci e në regjinë e Fatmir Hysenit.
Që në fillim vlenë të citohet një fjalë e urtë popullore “Moti i mirë shifet në mëngjes”, e cila me siguri koincidon me suksesin i cili do të vijë në formë gradacioni prej suksesit në sukses të rritjes së efektit dramatik, për të cilin nuk ka asfije dyshimi ngase të gjitha trupat teatrore kanë bërë zgjedhjen e vlerave që do t’i paraqesin në këtë manifestim.
Pak fjalë për dramën “Zonja me maskë”
Drama “Zonja me maskë” paraprakisht është vepër e shpërblyer “me çmimin që jepet për herë të parë e që mbanë emrin e krijuesit Beqir Musliu në Gjilan
Unë, duke pasë konsideratë dhe besim në aftësitë seleksionuese të tre anëtarëve të jurisë, në bazë të suksesit që pati në premierën e saj në Gjilan më datën 20. 01, 2014, dhe në kënaqësinë që ma afroi teksti i interpretuar nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Gjilanit, shprehi admirimin tim.
Autori Osman Goranci, me dramën “Zonja me maskë”, lexuesve dhe trupave teatrore, ua ka afruar një tekst dramatik të përmasave univerzale. i mbrujtur me figura dhe tabllo ngjarjesh të nxjerra nga metafora duke e paraqitur lakuriqësinë e të gjitha atyre veprimeve devijante që janë aktuale kudo në rruzullin tokësor.
Sintetizimi i ngjarjeve të shkruara me një përmbajtje lirike, tek lexuesi dhe spektatori, krijojnë një ndjenjë dhe emocion që të bën të mishërohesh me tërë qenien në rrjedhën e ngjarjes e cila pa dyshim se shkakton dhembje për pësimet e personazheve në vorbullat e jetës e posaqërisht në shoqëritë në etapa kalimtare prej një rregullimi shoqëror në një tjetër, ku padyshim vijnë edhe si rrjedhojë e papërgatitjes së mjaftueshme për t’u përballuar shtresave dhe mentaliteteve të ndryshme sociale.
Vrojtime e suksesesh
Gjilani një kohë të gjatë ka shërbyer si ”shkollë letrare” në rezidencën e së cilës bën pjesë edhe teatri duke pasë parasysh të gjitha gjinitë dramatike. Që nga paralufta e Dytë Botërore, kanë filluar nismat, të cilat kanë ardhur duke u rritur dhe duke krijuar interesim të madh tek shtresat e ndryshme shoqërore në Gjilan. Njëherë si teatër amator, pastaj si teatër gjysmëprofesional dhe tash si teatër profesional.
Etapa e dytë kur teatri i Gjilanit konsiderohej si gjysmëprofesional e zuri vendin e parë në ish Jugosllavi në Trebinje. Atëbotë, me ardhjen e Muharrem Shahiqit nga Shkupi dhe me angazhimin e tij serioz e profesional, tuboi rreth vetes talentë të lojës skenike duke ia dhënë fizionominë e një teatri, i cili pretendonte në profesionalizëm. Vlenë të përmenden talentë të njëmendt si Fetah e Ruzhdi Mehmeti, Xhevahire, Sabedin e Jashar Shahiqi, Muharrem Sylejmani, Mejreme Zeqiri, Nuhi Matoshi, Naser Zymberi, Raif Haziri, Nexhmedin Ymeri, Hasan Bunjaku (lektor) e shumë të tjejrë, të cilët me vullnetin dhe talentin që i karakterizonte thyen klishetë e stereotipeve dhe teatrit i dhanë një autoritet që respektohej nga qytetarët. E tëra kjo, gradualilsht ndikoi që Gjilani të ketë publik që ia kanë lakmi edhe kryeqytetet shqiptare si Shkupi, Tirana e Prishtina.
Drama “Zonja me maskë” pati fatin e premierës para këtij publiku, i cili u shkri me ngjarjen e thurur artistikisht e të luajtur mrekullisht nga trupa profesionale e Teatrit Kombëtar të Gjilanit.
Si dukej shfaqja
Një mrekulli që të joshë, një ambient i këndshëm, një log i një suksesi, ku do të luhej një lojë skenike – një dramë.
Luajtën: Safete Mustafa-Baftiu, Gëzim Bucolli, Sabedin Shahiqi, Mejreme Berisha, Tringa Hasani, Njomëza Kalaveshi, Kenan Gurguroci, Gyner Halili, Durim Neziri dhe Bedri Abazi.
Do të thoja atë që më shkaktoi mbresë: Skena e punuar nga Bekim Korça e thjeshtë, moderne dhe shumë funksionale e cila korespondonte aq fuqishëm dhe artistikisht me dritat, muzikën dhe lojën. Muzika e zgjedhur nga Florim Gagica të cilës po t’i hiqej loja skenike do të shërbente si një koncert shumë i pranueshëm dhe i duartrokitur nga një publik i zgjedhur, dritat dhe efektin që dhanë ato të dirigjuara anga Fatmir Halili, kryen funsion kolektiv duke i dhënë një atmosferë që rrallë herë ka shkaktuar efekte emocionale si ato çaste artistike të shfaqjejs së dramës “Zonja me maskë”.
Aktorët bënë lojë kolektive. Megjithatë në rastin konkretë do ta veçoja Gëzim Bucollin, i cili mundi t’i qëndrojë stoik gjithë shfaqjes prej fillimit e deri në fund – në skenë. Ai ishte trungu kurse aktorët tjerë degët e tij secili (a) në funksion të lojës dhe interpretimit.
Gëzim Bucolli nuk e pati lehtë sepse loja e tij përbëhej prej gjendjes “i dehur” dhe në atë “esull” të cilave ia doli që me anë të ngjyrës së zërit , gjestikulacioneve dhe funsionalitetit ta arrumbullaksojë me sukses.
Është shumë mbresëlënëse aftësia e aktoreve që luajtën rolet “e tyre”, rolet që ua imponon teksti, dhe pamarrë parasysh se çfare ishin ato dhanë kreativitetin e duhur në frymën e asaj që quhet jetë dramatike
Aktorët me forcën e tyre interpretuese e fuqizuan prolemin, i cili kërkon edhe dorën e pushteti për t’i luftuar e për t’i frenuar por se fuqia artit dramatik, besoj se e ka kryer rolin edukativ tek të gjithë ata që kanë qenë të orientuar me ndjenja dhe emocione kah skena e hapur ku doi roli edukativ që ia ka dhënë autori Osman Goranci dramës së tij.
Regjia, vepër e dytë
Realisht është thënë se regjia është vepër e realizuar nga vepra e një autori. Ai është timonieri i shfaqjes. Drama lëvizë me planimetrinë regjisoriale.
Kjo dramë pati fatin ta ketë një regjisor me përvojë dhe aftësi profesionale Fatmir Hysenin dhe ASS regjisor Muharrem Sylejmanin. Pa e anashkaluar regjisorin më duhet të them se Muharrem Sylejmani edhe si aktor në role të ndryshme në dramë, tragjedi e posaçërisht në komedi ka treguar aftësi të cilat do t’i quaja dhunti. Por edhe si regjisor ka vënë në skenë, me sukses të madh e të mirëpritur nga publiku, edhe drama edhe komedi.
Forcat e dy profesionistëve, me përgatitje shkollore edhe me përvojë të gjatë në këtë fushë arti ka bërë që regjia e dramës “Zonja me maskë” ta arrij efektin e pritur jo vetëm nga publiku por edhe tek vetë regjsorët.
Për këtë garanton vetë publiku i cili gjatë gjithë shfaqjes ishte “i ngjitur për karrige” pa lëvizur dhe pa bërë asnjë lëvizje që do ta pengonte spektatorin që e ka afër.
“Ku shtrohet sofër ka edhe troha”
Jo vetëm në Gjilan, por gjithandej Kosovës teatrot, qoftë amatore, apo profesioniste nuk i kanë punët mirë as me lokal, as me mjete përcjellëse, as me të ardhura personale. Rroga edhe ato simbolike, nuk i marrin me kohë. Por vullneti i tyre i madh për të vënë në skenë vepra dramatike, na mundëson që të kemi fatin të kemi teatër – fatmirësisht apo fatkeqësisht ashtu siç janë e siç ua ka mundësuar shoqëria.
Nga kushtet reale të teatrove, në rastin tonë, Teatri kombëtar i Gjilanit të çalojë edhe në mungesë të ndonjë profesionisti ,dhe, në mungesë të tij të regjistrohet edhe ndonjë e metë profesionale, e cila dëmton ose e zbeh suksesin kolektiv të trupës.
Krahas shumë sukseseve, padyshim inkurajuese, të trupës së TKGJ u vërejtën gabime gjuhësore në theks, në morfologji dhe sintaksë, por jo në atë masë për t’u ankuar shumë. Trupa e çdo teatri duhet ta ketë edhe lektorin, i cili profesionalisht do ta ndihmonte që kultura e të folurit të jetë në nivel të standardit të gjuhës shqipe. Bile të jetë shembull se si flitet dhe shqiptohet drejt, bukur dhe pa gabim.
Në debatin që u mbajt pas shfaqjes së dramës “Zonja me maskë”, nga disa profesionistë u tha se aktorët e kanë pasur lirinë e të shprehurit individual, por, unë mendoj se po t’ishte respektuar standardi i gjuhës, drama do të dilte më e mirë, më e kompletuar dhe do ta plotësonte dëshirën e autorit me që ai dramën e ka të shkruar në gjuhën standarde shqipe.
Përfundim
Trupa e Teatrit Kombëtar të Gjilanit, në kuadër të Manifestimit shumëkulturor “Flaka e janarit” dha një shfaqje me shumë sukses dhe admirim kur i kemi parasysh kushtet e rënda materiale që e kanë përcjellur dhe po e përcjellin këtë teatër vite me radhë. E vunë në skenë një dramë e cila paraprakisht u zgjodh dhe u shpërblye me shpërblimin e krijuesit Beqir Musliu.
Angazhimi serioz, duke u bazuar në aftësitë profesionale të secilit aktorë dhe të angazhuar tjerë, në detyra të ndryshme, në fushën e kompletimit të shfaqjes, bëri që “Talia e flakës 2014” ta tregojë seriozitetin, shprehjen e aftësive në akatrim, regji, muzikë, skenografi etj dhe spektatorëve të mrekullueshëm gjilanasë t’u afrojë një shfaqje bashkëkohore, një shfaqje që vë në spikamë veprimet devijante duke e nxjerrë në pah qëllimin edukativ të dramës në luftimin e veprimeve të ndryshme negative.
/Hysen KËQIKU/