Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të posterëve promovues (B2) të kandidatëve dhe subjekteve politike gjatë këtij procesi zgjedhor me qëllim të parandalimit të problemeve që mund të ndodhin në mes të subjekteve politike lidhur me hapësirat dhe vendosjen e tyre dhe ruajtjen e ambientit.
Kjo kërkesë është dërguar nga katër anëtarë të KQZ-së, mirëpo nuk është përkrahur nga të gjithë anëtarët sëbashku edhe me një kërkesë tjetër për verifikimin e votave të subjekteve dhe të kandidatëve në qendrën e numërimit dhe rezultateve QNR, transmeton RTK.
Betim Gjoshi, anëtarë i KQZ-së, ka thënë se me ndalimin e këtyre posterëve nuk ndalohet fushatat por krijohet praktika si në vendet e tjera për të mos reklamuar kandidatët dhe subjekteve përmes posterëve.
“Kjo nuk nënkuptohet që ju ndalohet fushata. Sot ka ndryshuar mënyra e të bërit fushatë, duke përfshirë rrjetet sociale mediat e shkruara elektronike, madje billborde e mënyra tjera në gazeta etj. Kemi parë nga praktika që edhe në vendet e tjera posterët nuk përdoren si mënyrë e reklamimit të kandidatëve duke e parë që këtu në Kosovë katër vjet përballemi me ta”, ka thënë Gjoshi.
Florian Dushi, anëtar i KQZ-së, ka shtuar se ka qenë edhe kërkesë e LDK-së që kjo mënyrë e fushatës mos të përdoret. Sipas tij, gara zgjedhore përmes posterëve po shndërrohet në pjesën e forcës apo fuqisë së shkuljes së këtyre posterëve dhe hedhjes së tyre nëpër tokë.
“Gara zgjedhore pastaj po shndërrohet edhe në pjesën e forcës apo fuqisë së shkuljes së këtyre posterëve dhe hedhjes së tyre nëpër tokë. Ju e dini që edhe në objektin ku jemi gati sa nuk na kanë hyrë në zyre posterët e subjekteve politike, dhe gati deri në hyrje kanë vendos poster të tillë. Unë mund ta kuptoj shqetësimin sa i përket kohës megjithatë fushata zgjedhore s’ka filluar ende”, ka thënë Dushi.
Edhe Binak Vishaj nga AAK-ja dhe Ilir Gashi nga PDK-ja, kanë përkrahur këtë vendim, ndërsa e k anë kundërshtuar Ersan Spat nga KDTP, Adnan Rrustemi nga VV-ja e Bajram Ljatifi nga VAKAT-i.
Spat, ka theksuar se kjo është padrejtësi që ju bëhet subjekteve politike, pasi sipas tij fushata fillon në ora 00:00, prandaj subjektet tashmë i kanë shtypur posterët. Ai, ka thënë se ky vendim është dashtë të merret më herët.
“Unë pajtohem me këtë çështje por të kishim biseduar në ditët e para për këtë çështje. Por sot kur ora 00:00 fillon fushata shtypshkronjat kanë kryer punët e veta billbordet janë e drejtë ekskluzive. Të shkojmë në këtë mënyrë unë do të jem kundër dhe mendoj se është një padrejtësi e subjekteve tona”, ka shtuar Spat.
Kurse, Adnan Rrustemi, ka thënë se ky vendim i dëmton subjektet e caktuara të cilat nuk kanë mundësi të prodhojnë produkte tjera të promovimit.
“Nuk e shoh të mundur që ne të vendosim për subjektet politike se çfarë produkte të marketingut mund të përdorin e çfarë jo, kjo bile e cenon edhe drejtat civile dhe politike gjë që e shoh që i dëmton subjektet e caktuara politike se jo të gjitha mund t’i kenë kapacitetet dhe resurset ose mundësitë financiare që me prodhuar produkte të tjera të promovimit dhe mos me prodhuar poster në këtë rast. Unë nuk mendoj se duhet ta marrim një vendim të tillë se subjektet politike tashmë i kanë bërë planet e tyre dhe kjo nuk është e drejtë”, ka shtuar Rrustemi.
Menjëherë pas marrjes së vendimit që të ndalohet formati B2 i posterëve, Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga PDK-ja, ka kërkuar që të riformulohet kërkesa e tyre që mos të caktohet vetëm B2, por të mbetet vetëm, ‘ndalohen posterat e të gjitha formateve nga A4 deri në A0’. Por, kjo kërkesë nuk i morri votat e mjaftueshme pasi që anëtarët pakicë dhe Adnan Rustemaj nuk e ka në votuar.
Kërkesa e dytë që ka të bëjë me verifikimin e votave të subjekteve dhe të kandidatëve në qendrën e numërimit dhe rezultateve QNR, me qëllim të rritjes së transparencës, dhe besimit të kandidatëve dhe votuesve në rezultatet zgjedhore, me theks të veçantë votave për kandidat do të shqyrtohet të enjten.
Gjithashtu, ka pasur edhe propozim për ndarjen e vendeve të garantuara. KQZ ka formuar një grup që të dal me udhëzimin se si do të bëhet kjo ndarje.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, është shqyrtuar edhe emërimi i KVV-ve për zgjedhjet e parakohshme në Kuvendin e Kosovës si dhe rekomandim për caktimin e numrit të fletëvotimeve për vendvotim për zgjedhjet e parakohshme në Kuvendin e Kosovës.