Shkruan: Fehmi SYLEJMANI
Pavarësisht se dy skuadrat gjilanase në futboll, Drita dhe Gjilani kanë siguruar nga kampionati kualifikimin në Conference League, duke u renditur në vendin e dytë, përkatësisht të tretë, megjithatë dështimi për të fituar trofeun, lë shumë për të dëshiruar.
Për më tepër, kjo ka nxjerrë në pah edhe shumë dobësi, qoftë organizative, teknike, taktike, emocionale, sociale e strategjike.
Me të drejtë, këto dy klube në Kosovë janë cilësuar si më stabilet në aspektin financiar dhe në këtë drejtim, kanë qenë të qetë si lojtarët, ashtu edhe shtabi teknik dhe ai sportiv, mirëpo futbolli luhet për të rrëmbyer sa më shumë trofe dhe jo vetëm për të siguruar pjesëmarrje në garat e nivelit evropian.
Disfata e Dritës në finale të Kupës, shfaqi shumë defekte, e mbi të gjitha u vërejt mungesa e ‘shpirtit luftarak’ në lojë.
Nuk janë mësuar tifozët e Dritës, por edhe dashamirët e futbollit që ta shohin Dritën si një skuadër defanzive, inerte, pa ide kreative, pa aksione të rrjedhshme dhe efikase.
Në këtë ballafaqim u pa hapur se Drita pati telashe në shumë reparte, duke filluar nga ana e djathtë, në qendër të mbrojtjes, sulmuesit e krahut dhe atij qendror dhe mbase një mesfushori kryesor, siç quhet në zhargonin futbollisitk arkitekt i lojës.
Shpresojmë se krerët e kësaj skuadre, që ka bërë histori në futbollin kosovar, do ta analizojnë në tërësi rrjedhën e kampionatit dhe defektet e përcjella gjatë kësaj kohe, sa më parë të riparohen dhe mbase të tejkalohen dhe në edicionin e ardhshëm, ta shohim këtë skuadër me një lojë krejt tjetër në fushë, dominuese ndaj çdo rivali.
Po ashtu edhe, Gjilani këtë stinor, megjithë sigurimin e ‘vizës për Evropë’i ka zhgënjyer tifozët e vet, meqë deri pak xhiro para përfundimit të kampionatit ishte i pari në tabelën e klasifikimit dhe ishte në rrugë të mirë për të triumfuar për herë të parë të historinë e vetë si klub.
Edhe te kjo skuadër tjetër gjilanase, politikat sportive rezultuan të gabuara, që për disa njohës të mirë të futbollit kanë qenë që nga fillimi të tilla, meqë ekipi nuk guxon të mbështet vetëm në lojtarë të moshuar, pavarësisht eksperiencës së tyre, sikundër që ka pas skepticizëm edhe në krye të shtabit teknik.
Edhe te Gjilani janë vërejtur shumë defekte në reparte të ndryshme, e sidomos në organikën e klubit.
Ky është momenti i fundit për këtë skuadër që vërtetë rreth vetes të angazhojë njohës të mirëfilltë të futbollit, sepse ky klub duhet të fitojë diç të prekshme dhe jo vetëm të kënaqet me pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare.
Shpresojmë shumë që edhe krerët e kësaj skuadre të analizojnë mirë e mirë tërë kampionatin dhe më pas të marrin veprime dhe vendime të qëlluara, në mënyrë që sukseset të jenë të garantuara.
Një gjë është e sigurt, se futbolli kosovar ka avancuar në cilësi, andaj këto dy skuadra duhet të jenë prijatare në rritjen e cilësisë dhe rezultateve të mira dhe të vazhdueshme, në mënyrë që në fund të stolisen më ndonjërin nga dy trofetë e çmuara.
Urojmë që këto Drita e Gjilani, të paktën në garat e jashtme të kenë sa më shumë suksese, të ngjiten sa më lartë më mesin e skuadrave prestigjioze evropiane, duke e harruar sa më shpejt kampionatin e Kosovës.
(Autori është opinionist dhe njohës i futbollit) /2LONLINE/