Linditë Ramushi, “Me sytë e ëndjes”, poezi, ARS Clubi “Beqir Musliu”, Gjilan, 2012
(2LONLINE) – Vëllimi poetik “Me sytë e ëndjes” të Linditë Ramushit, botim i Shtëpisë Botuese ARS Clubi “Beqir Musliu” – Gjilan, 2012 – shtypshkronja “A – Print”, Prishtinë, editor Sabit Rrustemi, redaktore Albina Idrizi e recensentë: Prend Buzhala – Nexhat Rexha, shënon një arritje të suksesshme në fushën e poezisë. Këtë vlerësim e mbështesim në moshën e përvojën e autores, në një anë, dhe në pjekurinë artistike, me të cilën bën transponimin e realitetit, duke u dëshmuar kështu si një krijuese e talentuar që vargut i ngarkon vlera poetike dhe gjithandej poezive shpalos botën ndjenjore e shpirtërore, atë mendore e imagjinatave, në tjetrën anë. Në tërësi poezitë i shquajnë emocionet dhe idetë e veçanta, me të cilat poetja sajon vlera të qëndrueshme në aspektin ideoartistik dhe ideoestetik.
Lëvizje e mendimit estetik përmes përndezjes emocionale
Me nota të ndjeshme brenda syzheve të poezive shpalos mallin për dashurinë, humanizmin, të vërtetën, ndërgjegjen, të bukurën dhe përmes një varg figurash stilistike Lindita arrin natyrshëm e me pjekuri të ruajë në nivel të lartë elokuencën e shprehjes e të fjalës poetike, ku metaforat, përsëritjet, eksklamacionet, epitetet, simbolet, hiperbolat, personifikimet, lutjet, inversionet etj. shpalosin ndriçimin e dukurive e problemeve prej të cilave frymëzohet autorja. Me një mjeshtëri të llojit të vet arrin t’i shprehë mendimet dhe gjatë artikulimit të ideve thelbësore vargjet fitojnë vlera estetike, ndërsa poezitë, siç thuhet në teorinë e letërsisë, si magjistare – përjetohen si vlera të njëmendta poetike – ku mendimi estetik lëviz përmes përndezjes emocionale, e këto emocione qëndrojnë larg entuziazmit pompoz. I tërë vëllimi poentë të poetes ka ndjenjën e dashurisë që ndërlidhet me një varg kuptimplotë të poetit Dodë Kaçaj, që ka domethënien e një sentence filozofike:
Autorja në këtë vëllim vjen me një vokacion të veçantë, vjen me një ekspresion artistik të lakmueshëm. Brenda poezive bashkëjetojnë tema e motive, ngjarje e fenomene të ndryshme – që bëhen pjesë e vargjeve të realizuara në trajtë pikturash, që metaforikisht shprehin ndrydhjet dhe përjetimet shpirtërore të poetes. Në poezi gjithmonë gjejmë një fill rrëfimi, gjejmë një objektiv të përcaktuar si lajtmotiv, që lidhet me diçka konkrete e që gjatë zbërthimit e përpunimit kalon në abstraktim. Në poezi mishërohet realja me abstrakten, konkretja me fantazinë, në fakt, sipas ligjit të artit, kthehen në diçka reale në kuptimin simbolik. Një e dhënë e tillë vërtetohet nga vargjet:
Gjatë leximit të poezive kuptojmë se Lindita përmes vargut të lirë arrin në mënyrën më të mirë të bëjë përgjithësime filozofike e psikologjike. Vlerat e poezisë bëhen më të dukshme ngase autorja nuk bie në retorizëm e deklarativizëm – çfarë u ndodh shpesh krijuesve të rinj. Në të vërtetë, poezitë e vëllimit janë kryesisht eliptike e poezitë që janë eliptike janë më të fuqishme, më komunikatave, më refleksive, më të ngrohta e më me fuqi plastike e përgjithësuese. Në shpërfaqjen e nostalgjisë për njerëzit që i admiron, i dashuron, poetja – ndjenjën e imazhit poetik e shpreh edhe në këtë trajtë të komunikimit:
Pena e poetes rrok fenomene e dukuri të shumta – të përjetuara mjeshtërisht deri në thellësi shpirti. Poeten e shqetëson koha, e cila bëhet objekt në poezinë “Koha s’na takon neve”. Brenda syzheut Lindita e jep një realitet me tronditje të vetvetishme, një ndjenjë dhimbjeje që lidhet me portretin mendimtar dhe kornizën e paqepur për zemrën e përlotur. Vetëm këto ide të shpërfaqura në vargjet që i veçuam për ilustrim të kujtojnë se poezia e vërtetë buron pikërisht nga një frymëzim i lartë poetik.
Zë i mëvetësishëm në poezinë e sotme shqipe
Në vëllimin “Me sytë e ëndjes” gjejmë poezi të bukura, poezi që tingëllojnë të freskëta, ngase brenda tyre ngjallen përfytyrime të shumta mbi jetën dhe proceset që shoqërojnë atë. Sidomos janë të gjalla e të rëndësishme poezitë e llojit meditativ, ku preokupimet e poetes shprehen me ndjenja të forta dhe përmes vargjeve jepen tablo të fuqishme, siç ngjet, fjala vjen, në këto vargje:
Siç shihet poetja me një gjuhë simbolike – gjuhë që i mundëson të bëjë konceptimin e ideve në mënyrën më të saktë artistike bën realizimin e preokupimeve!
Poezitë e vëllimit dallojnë prej krijueseve të tjera edhe për faktin se autorja tregohet më refleksive, më e ngjeshur në mendime dhe ide, më e thellë në gjykime e në porosi. Brenda poezive derdhen ndjenja të ngrohta që shpalosin mallin e dashurinë, e dashuria në përmasa më të thella bëhet pjesë e pandashme, bëhet melodi dhe këngë e prekshme, ndërsa autorja kësaj teme i ka dhënë hapësirë të merituar duke dëshmuar individualitetin origjinal në trajtimin e motivit të dashurisë në një vizion e formë krejtësisht të re e të veçantë. Këto vlera që mbart poezia e Linditës pa ndonjë hezitim na japin të drejtë të theksojmë se autorja shënon një zë të mëvetësishëm në poezinë e sotme shqipe. Dashuria për ta dashur njeriun me të gjitha të mirat e të këqijat që mund t’i ketë, dashuria për të besuar në jetën, sado që ka dallgët e stuhitë e veta të padëshirueshme – mbeten si të thuash postulatet kryesore të poezive të vëllimit. Secila poezi, ku më shumë e ka më pak, përcjell te lexuesi që di të hyjë në botën e poezive, mesazhe sa më të afërta për jetën e njeriun në veçanti. Në poezitë: “Ta ndeza kujtesën me buzët e mia” , “Në buzë e gjoks vesa s’thahet dot”, “Mall sikur verë rrushi“ , “Më lër të psherëtij” , “Bri rilindjes”, “Të pata thënë” , “Miliona herë” , “Netëve qershori” , “Dhuratë dimrit të bardhë” , “Dimër kristalor”, “Dritë e ndezur” , “Mall i dëshiruar”, “Shtigjeve me ty”, “Qerpiku i dëshirës”, “Hartë shtegtimi”, “Ëndrra që pritet”, “Mbi qafën tënde”, “Plagë e hapur”, “Rrugë që more”, “Melodi e këngës sate” etj. Autorja me mjeshtëri të rrallë ka bërë gërshetimin e mendimeve për motivet që i bën objekt këndimi. Janë këto poezi që në rastet më të shpeshta përçojnë artistikisht, ndjeshëm e bukur, mendimet, që flasin për një jetë të pasur shpirtërore, për një botë fisnike e humaniste të Linditës. Këto të vërteta i reflektojnë vargjet:
Siç mund të shihet nga këto vargje, poetja ka dhënë aspekte të çmueshme mbi mallin. Brenda vargjeve është përvijuar bota delikate e autores dhe, siç kanë thënë studiuesit e poezisë, “Brenda këtyre vargjeve është shprehur në kuptimin më të mirë të ndjenjës njerëzore çiltërsia, respekti dhe besueshmëria”. Natyrisht çdo gjë që thuhet e vendoset në kohën e në ndjenjën e krijuesit – që me dimensionin artistik përfaqëson kohën e pakohë – ajo edhe nuk vjetrohet, por do të mbetet vlerë, testament dhe peng për kohët e njerëzimit që do të vijnë.
Poezi me nëntekst të fortë
Disa nga poezitë e Linditës, pa e tepruar në këtë vlerësim, sikur na i sjellin në kujtesë mendimet e kolosëve të mëdhenj të poezisë, në rastin konkret të Gëtes në kohen e tij, i cili me të drejtë ka thënë: “Nuk është e rëndësishme të jesh i lumtur, nuk është e rëndësishme të jesh fitimtar. E rëndësishme është të jesh i madh, e rëndësishme është të jetosh me ndjenja e mendime të mëdha, të ndeshesh në jetë dhe të krijosh në të ngjarje të tilla, për të cilat mund të thuash: Ja, kjo është një jetë e vërtetë – plot veprimtari, plot energji”!
Konstatimet e tilla e përligjin procesin dhe rrugën krijuese të Linditës, e cila në vëllimin e sipërthënë i pasqyron në aspekte të gjithanshme vlimet e jetës dhe brenda tyre gjen shumëçka nga jeta e vet. Poezia e Linditës ka nëntekst të fortë dhe si e tillë nuk është e lehtë për t’u kuptuar nga ndonjë lexues i rëndomtë.
Kjo poezi është shkruar me varg të lirë dhe pa marrë parasysh se s’kemi rima në pjesën më të madhe të vjershave – ajo bart ritmin e gjallë, ritëm që përfaqëson botën e autores, zotimet e saj dhe, si të thuash, është poezi e një bisede për tema e motive të përditshmërisë, tema që janë të pranishme në kohë dhe hapësirë. Forma artistike e poezisë është në përputhje me përmbajtjen. Përjetimi i dashurisë vihet në dukje, jo vetëm si ndjenjë estetike por ajo para së gjithash ka të bëjë me ndjenjë kënaqësie.
Vargjet kryesisht lidhen me një bazë të miqësisë së pastër.
Gjuha e poezive është e pasur dhe disa fjalë që moti kanë mbetur në muzeun e harresës, pra fjalë të leksikut pasiv, poetja i ka aktivizuar në mënyrën më të mirë. Këtë shkrim për vëllimin e Linditës do të dëshiroja ta përmbyll me thëniet e lirikut më të spikatur të poezisë shqipe, Lasgush Poradecit, i cili, duke zënë ngoje poezinë e Musine Kokalarit, ndër të tjera, thekson: “Meritat artistike të shkrimtares së re shqiptare janë virtyt i pamohueshëm i saj, ku mund të kënaqët me të vërtetë nevoja jonë për një shijim estetik të pashtershëm, ku gjejmë, si në bërthamë, premtimin e heshtur të zhvillimit të mëpastajmë të atyre, që ajo mund të na japë në kohën e duhur”.
Sipas këtyre fjalëve del se vëllimi “Me sytë e ëndjes” i Lindita Ramushit është një vazhdim i një bisede të angazhuar me lexuesit në përgjithësi. Në fund, nga e gjithë kjo që u tha vijmë në përfundim se Lindita ka sjellë një ndihmesë të rëndësishme në fushën e poezisë dhe punën e nisur dëshirojmë ta vazhdojë pa u trembur.
/Dr. sc. Faik Shkodra/