Shkruan: Ismet Tafili
Me rastin e një vjetorit të vdekjes së veprimtarit, atdhetarit, ish të burgosurit politik, pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, togerit të TMKS-së, shokut e vllaut tonë, Reshat Sadiku.
Në burg e kishin maltretuar tej mase sa që edhe nëna e tij, në vizitat që ia bënte nuk e njihte
(2LONLINE) – Më 02. 12. 2013 bëhet një vit nga ndarja e shokut, vëllait, ish ushtarit, veteranit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarit dhe atdhetarit të devotshëm, togerit, njeriut i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut, lirisë, humanizmit, përparimit, tolerancës e bashkimit kombëtar, Reshat Xhemail Sadiku.
Reshat Sadiku u lind në një fshat të vogël të Malësisë së Bujanocit, Priboc, më 15 tetor 1958. Si fëmijë, familja e tij u shpërngul në Maltërnoce, për t’u vendosur përfundimisht në Gjilan, në vitin 1968.
Që nga shkolla fillore e kishte shfaqur shpirtin i tij kryengritës, atëherë kur në orën e artit figurativ këndon këngë patriotike atdhetare, ngase kishte marrë kulturë dhe edukim atdhetar nga familja e tij dhe nga emisionet e radio Tiranës e Kukësit. Në shkollën e mesme ishte i organizuar në grupet ilegale të cilat vepronin e luftonin për çlirimin Kosovës nga pushtimi kriminel serbo-sllav. Të gjitha ngjarjet dhe veprimtaritë atdhetare që zhvilloheshin, posaçërisht në Gjilan, ai nuk mund të mos ishte pjesë e organizmit.
Për këtë edhe ndiqej vazhdimisht derisa edhe u burgos dy herë nga pushteti i ish Jugosllavisë: më 18. 08. 1981, ku i vuajti dy muaj dhe më 15. 12. 1981 për t’i mbajtur edhe 18 muaj burg tjera. Në burg e kishin maltretuar tej mase sa që edhe nëna e tij, në vizitat që ia bënte nuk e njihte. Por, ai nuk dorëzohej para kriminelëve. Pas lirimit nga burgu, jo që e ndali veprimtarinë, por dhe më shumë u angazhua në luftën kundër pushtetit kriminal serb.
Format e luftës së tij ishin të ndryshme, varësisht prej kohës dhe rrethanave që paraqiteshin, dhe në gjithë këtë rrugë plot pengesa, sakrifica, mund e djersë, ai arriti të dal fitimtar pa e kursyer asnjëherë as familjen, as pasurinë e më së paku veten.
Gëzimi i tij më i madh, e që kishte kontribuar edhe ai vetë, ishte formimi i UÇK-së, sepse ishte i vetëdijshëm se vetëm një forcë e organizuar mirë e përgatitur dhe e vendosur për të vdekur për Atdhe, do të mund të dilte fitimtare ndaj pushtuesit që na e kishte zënë pragun e shtëpisë. Ai pa hezitim, pa e llogaritur në asnjë moment rrezikun e jetës, në vitin 1998 kyçet në njësitet e UÇK-së së qytetit. Ashtu siç kishte dhënë kontributin e tij deri më tash në të gjitha fushat duke dhënë edhe pasurinë, vazhdoi edhe më shumë të kontribuoi me gjithë forcën që kishte.
Fati deshi që ai të mbijetoi nga lufta me armikun shekullor serbo – sllav, por edhe pas kësaj, përkundër kushteve jo të mira ekonomike, vazhdoi të punoi dhe të jap kontributin në forcimin dhe ecjen përpara të TMK-së. Nuk ishte nga ata, që pas përfundimit të luftës t’i kthehet vetvetes, interesit personal, apo edhe të pasurohet duke e shfrytëzuar autoritetin dhe situatën e brishtë, por vazhdoi të kontribuoi edhe më tutje për Kosovën dhe forcimin e ushtrisë, sepse e dinte se Kosova do të jetë e fuqishme duke e pasur një ushtri të fortë të disiplinuar e një ekonomi të konsoliduar. Kështu ai, me transformimin e UÇK-së në TMK, sistemohet në Departamentin e Operatives të Zonës së VI të TMK-së në Gjilan, me gradën Toger, i vetëdijshëm së më disiplinë, punë, sjellje të mirë e dinjitoze do t’i kontribuonte vendit të vet. Ai, jo vetëm që kryente detyrat me përpikëri, shpejt e me kohë, por me punën e tij u bë edhe shembull për të tjerët se si duhet të punohet në çdo kohë për vendin.
Reshati, kishte prejardhje nga Kosova Lindore, përkatësisht nga fshati Priboc i komunës së Bujanocit, dhe duke respektuar betimin që e kishte dhënë në UÇK, se do të luftojë për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, ishte i përkushtuar që edhe kjo pjesë e territorit shqiptar të jetë e lirë. Edhe pse pjesëtarët e TMK-së e kishin të ndaluar ta ndihmonin luftën e UÇPMB-së, ai gjente forma dhe rrugë për të ndihmuar UÇPMB-në, vëllezërit e vet dhe shumë bashkëluftëtarë të tij që ishin kyçur në këtë luftë të drejtë.
Për mos punë, për padrejtësi, për neglizhencë, ai ishte i prerë dhe të kritikonte menjëherë, pa marrë parasysh se çfarë afërsie kishe me të. Dhe pikërisht kjo sjellje korrekte dhe humori i tij i rrallë e kishte bërë të dashur për të gjithë shokët, miqtë e dashamirët. Kishte bërë autoritet dhe respektohej nga të gjithë kudo që ishte.
Reshati në TMK punoi deri në vitin 2008, kur edhe pensionohet por, shpirti i tij humanitar nuk e lente të qetë asnjëherë të ishte indiferent ndaj atyre që kishin nevojë. Edhe pas pensionimit, ai vazhdoi t’u qëndroi pranë e t’u ndihmonte aq sa kishte mundësi, familjeve të dëshmorëve, ish të burgosurve politikë, invalidëve e veteranëve të UÇK-së e të gjithë atyre që kishin nevojë.
Vdekja e tij, erdhi papritur dhe atëherë kur nuk e priste askush, atëherë kur i duhej ende qytetit të Gjilanit, familjes e gjithë qytetarëve. Vdekja e Reshat Sadikut është një humbje e madhe për të gjithë, sepse e humbëm një veprimtar të madh dhe një luftëtar të devotshëm të çështjes kombëtare.
Lavdi jetës dhe veprës së Reshat Sadikut
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!