/2L ONLINE/ – Ka ndërruar jetë Agim Rexhepi, një figurë e njohur politike në Gjilan, ish drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, inspektor regjional i arsimit, e në mbledhjen komemorative që u organizua me këtë rast, u tha se vdekja e Agimit në këtë fundvit është një lajm i hidhur, një lajm tronditës për të gjithë ata që e njohën Agimin.
Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka thënë se lajmi për vdekjen e Agimit, është një lajm shumë tronditës. “Lajmi për vdekjen e Agimit ishte lajm i hidhur kur krejt ne prisnim që në pushimet e fundvitit të bëhemi bashkë, Agimi na la. Është ky lajm i rëndë dhe lajm që na mërzitë”, ka thënë Haziri, para familjarëve, miqve, kolegëve dhe qytetarëve të shumtë të mbledhur në teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Haziri tha se ka ndarë kohë të shumtë me Agimin, e kishte një bashkëpunëtorë të ngushtë, të afërtë, pasi Agimi për një kohë ishte edhe sekretar i LDK-së së Gjilanit, drejtor i DKA-së, por edhe në çdo takim tjetër, ai ka qenë i pandashëm për shkak shpirtit të tij fisnik.
Haziri tha se ai na la dhembje me ikjen e tij, por edhe kujtimet e mira, sepse ishte i afërt andaj me këtë mbledhje komemorative po i themi lamtumirën e fundit Agimit, që shpirti i tij do të bëjë dritë. “Ne do të lutemi që zoti të kujdeset për shpirtin e tij. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të. Lamtumirë!”, ka thënë kryetari Haziri.
Në emër të familjes, në këtë mbledhje komemorative ka folur Fatmir Rexhepi, deputet, i cili ka vlerësuar shpirtin e mirë të Agimit, i cili ka ditë që edhe në situata të rënda, të krijojë pozitivistet për rrethin. Rexhepi tha se vdekja e Agimit ishte e papritur, ishte e hershme andaj dhembja është e madhe.
Ai tha se Agimi i dashur, pozitiv në jetë, i fortë në kohë të vështira, shpirtmirë, na la, e kujtimi për të qoftë i përjetshëm.
Përndryshe, varrimi i të ndjerit Agim Rexhepi do të bëhet në varrezat e qytetit të Gjilanit me iqindi (14:00). /2L ONLINE/