/2L ONLINE/ – Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Naim Pira dhe Drejtori për Arsim Qahil Sinani kanë vizituar sot objektet shkollore “Nijazi Rexhepi” paralelet e ndara në Sllatinë të Epërme- Lagjen e Gjinollëve dhe Sllatinë të Poshtme ku është duke u punuar në rregullimin dhe ndërtimin e tualeteve.
Po ashtu falë një donacioni nga një humaniste e cila ka dashur të mbetet anonim për media në objektin e shkollës në Sllatinë të Poshtme është vendosur sistemi i filtrimit të ujit që siguron ujë të pijshëm për nxënësit e kësaj shkolle. Qahil Sinani, Drejtor i Drejtorisë Komunale për Arsim ndër tjerash tha se ky donacion është mirëpritur nga të gjithë në veçanti është në interes të nxënësve dhe personelit arsimor të kësaj shkolle.
“Falënderojmë donatoren për sigurimin e sistemit të filtrimit të ujit në vlerë mbi 800€. Nga ky donacion do të përfitojnë nxënësit dhe personeli arsimor pasi që siguron ujë të cilësisë më të lartë”, u shpreh Drejtori Sinani. /2L ONLINE/