(2L ONLINE) – Kryesia e Lëvizjes “Vatra” dhe tërë strukturat e saj, anëtarët, simpatizantët e qytetarët e Kosovës Lindore, e kanë mirëpritur votimin e 34 këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, për marrjen e vendimit për themelimin e Komitetit dhe Zyrës për Kosovën Lindore. Kryesia e Lëvizjes “Vatra” falënderon të gjithë këshilltarët e Kuvendit dhe kryetarin e Komunës, z. Lutfi Haziri për kontributin e dhënë dhe interesimin e treguar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese të shqiptarëve të Kosovës Lindore dhe të shqiptarëve të ndjekur nga këto treva.
Kështu është shprehur Sejdull KAdriu, kryetar i Lëvizjes Vatra për të shtuar se e rëndësishmja e gjithë kësaj është, inicimi i themelimit të Komitetit dhe Zyrës për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, të cilat do të punojnë për zgjidhjen e çështjes së pazgjidhur të shqiptarëve të këtij rajoni si dhe për të drejtat dhe integrimin e qytetarëve të tyre në Kosovë, pasi që siç dihet, pas përfundimi të luftës së fundit në Kosovë, ishin ndjekur nga vatrat e tyre.
“Pra, për qytetarët e Kosovës Lindore dhe për Lëvizjen “Vatra”, 27 maji është një ditë e rëndësishme, sepse qytetarët e Kosovës Lindore po bëhen me një adresë të caktuar në kuadër të komunës së Gjilanit, adresë e cila do të jetë dritare e hapur për adresimin e problemeve të tyre, sikurse edhe adresë bashkëpunimi kulturor, tregtar, sportiv ndërkomunal, do të bëhet shumë më lehtë e në mënyrë të koordinuar. Prandaj, urojmë që funksionalizimi i kësaj Zyre të fillojë së vepruari në afat sa më të shpejtë që është e mundur”, ka thënë Kadriu. /2L ONLINE/