(2LONLINE) – Qendra për Art Bashkëkohor “Varg e Vi” siç e pati konfirmuar pak muaj më parë për një bashkëpunim me organizatën joqeveritare për kulturë “Ars Acta” nga Maqedonia, ka arritur që frytet e bashkëpunimit t’i përkthejë edhe në rezultate konkrete.
Të shtunën, më 21 dhjetor 2013, ora 19:00, në këtë qendër, do të hapet ekspozita e artit vizuel me konceptin “Idealizmi i demoralizuar” nga shtatë artiste femra të Maqedonisë si: Iskra Dimitrova, Nada Prlja, Vera Kovacevska, Marija Sotirovska, Maja Kirovska, Mihaela Jovanovska dhe Dijana Bogdanovska. Kuratore e kësaj ekspozite do të jetë kuratorja e njohur nga Shkupi, Ana Frangosvka.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur pesë ditë për publikun artdashës.
“IDEALIZMI I DEMORALIZUAR” i adresohet fushave të ndryshme të shfaqjes ekzistencialiste, sociale dhe politike. Ky koncept mundet të inkorporohet në kuptime të ndryshme, duke u nisur prej idealeve personale të papërmbushura, e në përgjithësi deri tek të gjitha diskurset që si pikë qendrore e reflektojnë të fshehtën apo anën e errët dhe bëhen pjesë e masës së joshur nga iluzionet dhe premtimet. Ne jemi pjesë e udhëkryqit midis të vjetrës dhe të resë, të fiksuar me etikë e moral të rremë, depresion politik, dhe shpesh e kemi zgjedhur servilizmin për mënyrën se si marrim vendime, reagime dhe përgjigje… ka thënë me këtë rast, Avni Rudaku, përfaqësues i Qendrës “Varg e Vi”.
Sipas tij, nga ky koncept, ne bëmë zgjedhjen e kësaj teme më këto artiste femra: Iskra Dimitrova, Nada Prlja, Vera Kovacevska, Marija Sotirovska, Maja Kirovska, Mihaela Jovanovska dhe Dijana Bogdanovska, puna krijuese e të cilave e adreson konceptin.
Rudaku thotë se zgjedhja për t’i përfshirë vetëm artistet femra është e bazuar në qasje të veçantë për çështje të tilla kaq të përgjithshme dhe të pashmangshme nga pikëpamja femërore, përderisa ato reagojnë me ndjeshmëri të veçantë dhe kritikojnë më ndryshe, duke e përdorur gjuhën e “Luaneshës së plagosur”, ose shpesh ato kanë më shumë guxim për qasje të drejtpërdrejta në probleme, duke analizuar, sintetizuar dhe duke krijuar një simbiozë prej shumë semiotikave, në një të vetme. /2lonline/