Gjilan – (2LONLINE) – Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan kanë vlerësuar takimin që patën me drejtuesit e Universitetit Publik të Gjilanit dhe janë falënderuar për pritjen që iu është bërë, e ku sipas tyre, ushtrues detyre i rektorit në Universitetin e ri Publik në Gjilan, Arben Dërmaku gjatë këtij takimi ka folur rreth gjendjes aktuale të universitetit dhe hapat që janë ndërmarrë për fillimvitin e ri akademik më 1 tetor.
“Kemi punuar shumë që të fillojë me kohë viti i ri akademik, pra më 1 tetor dhe ne kemi bërë të gjitha parapërgatitjet që të jetë një fillim i mbarë. Na është liruar objekti i shkollës së mesme të bujqësisë dhe të mjekësisë, si dhe infrastruktura po bëhet gjithnjë e më funksionale për studentët e këtij universiteti. Jemi të interesuar që të kemi një universitet cilësor, të paktën ta arrijmë nivelin e cilësisë së Universitetit Publik të Prishtinës dhe ky universitet do të jetë derë e hapur edhe për studentët e Luginës së Preshevës pasi kemi kuotën e veçantë për studentët e kësaj ane”, u shpreh Dërmaku.
Ismajl Kurteshi uroi drejtuesit e Universitetit Publik të Gjilanit dhe të gjithë studentët me rastin e 1 tetorit, hapjen e Universitetit të ri Publik në Gjilan dhe fillimin e vitit të ri universitar, duke dhënë besimin e tij se kjo vatër e diturisë do të jetë vatër e rekrutimit të kuadrove profesionale që do t’i shërbejnë shoqërisë dhe komunës në përgjithësi.
“Uroj që Universiteti Publik i Prishtinës t’i shërbejë komunës me kuadro profesionale, të jetë i depolitizuar në tërësi dhe të kemi një fillimvit të mbarë akademik. Ndonëse janë disa limite në kompetencat e komunës për universitetet dhe arsimin universitar, ato që janë në mundësitë tona, do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet që ta mbështesim universitetin. Aty ku mundet komuna, gjithmonë do të jetë pranë jush”, ka theksuar Kurteshi.
Nënkryetari Avni Rudaku, i shoqëruar nga Besa Baftiu, Arjeta Rexhepi, Fehmi Sylejmani dhe Leonard Miftaraj, të cilët po e përbënin delegacionin për vizitë bashkë me kryetarin Kurteshi, pasi mori fjalën, shprehu falënderimet për pritjen që u është bërë
“Komuna do të mund ta ndihmonte Universitetin Publik në shumë mënyra. Komuna do të mund të përpiqej në zhvillimin e infrastrukturës së qytetit apo në trafikun urban. Transporti urban do t’i ndihmonte studentët të lëviznin nga një lagje në lagjen tjetër të qytetit dhe studentët do të mund të kishin mundësi më të mira financiare për të gjetur banesa me qera edhe më larg zonave të shtrenjta të qytetit, gjatë kohës së studimeve, sidomos për studentët që vijnë nga Lugina. Por transporti i lirë publik do të mund t’i ndihmonte edhe vetë studentët e komunës së Gjilanit, të cilët për nevojat e tyre do të mund të lëviznin me çmime të përballueshme nga një lagje në lagjen tjetër. Komuna do të mund t’i ndihmonte studentët në orët praktike që do të mbanin në organet e komunës. E shumë shërbime dhe lehtësime të tjera për studentët”, ka pohuar Rudaku.
Dyja palët u dakorduan që Universiteti Publik i Gjilanit t’i shërbejë komunës, studentëve dhe gjithë shoqërisë, duke u përkushtuar në cilësi dhe plasim të kuadrove të përgatitura mirë profesionalisht. /2lonline/