Komuna e Prishtinës, me një ceremoni solemne, përuroi sot shtatoren e presidentit të ndjerë të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova të vendosur para Kuvendit të Kosovës. Presidentja e vendit Atifete Jahjaga dhe kryetari i Komunës, Isa Mustafa me fjalë të zgjedhura lavdëruan figurën e presidentit të ndjerë Rugova.
Në praninë e figurave politike të vendit dhe mijëra qytetarëve, në sheshin që mban emrin e tij në kryeqytet, u përurua shtatorja e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, njëherit kryetar i LDK-së, ish presidentin Rugova, e cilësoi si ideologun e pavarësisë së Kosovës dhe atin themeltar të shtetësisë së saj.
Ndërkaq, për presidenten Atifete Jahjaga, ish presidenti Rugova ishte figurë poliedrike i cili në Kosovë instaloi frymën demokratike perëndimore dhe mendimin kritik.
Shtatorja e presidentit Rugova, u zbulua nga presidentja Atifete Jahjaga, kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe gruaja e të ndjerit Rugova, zonja Fana, të cilët u përkulën para tij dhe vendosën kurora me lule, transmeton RTK>
Shtatorja e bronztë e presidentit historik Ibrahim Rrugova është e gjatë 4.25 centimetra në të cilin Rugova paraqitet me hapin e hedhur, dorën e majtë të përthyer dhe shallin e hershëm simbolik. Ajo ka arritur në Prishtinë mbrëmë nën përcjellën e Policisë së Kosovës. Ajo është punuar nga skulptori nga Tirana, Julian Muqollari ndërkaq finalizimi i saj gjithsej ka kushtuar 135 mijë euro.