/2L ONLINE/ – Diskutimet publike që mbahen me qëllim të planifikimit të buxhetit komunal për vitin 2017-2019, pas Smirës e Vërbanit, janë mbajtur edhe në Gërmovë e Goshicë, me që rast banorët u njoftuan rreth procesit të hartimit të buxhetit komunal për vitet në vijim.
Përderisa banorët e Gërmovës si prioritet e paraqitën ujin e pijshëm, rregullimin e trotuarit përgjatë rrugës kryesore që lidh Vitinë me Gërlicën, si dhe rrjetin e dobët elektrik që po u shkakton problem këtyre banorëve, në Goshicë banorët po ashtu primare e shohin ujin e pijshëm, rrugën e fshatit, asfalti I së cilës është demtuar në masë të madhe, si dhe rruga që lidh fshatin Goshicë me Sadovinën e Jerlive.
Ibrahim Rama drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, duke prezantuar buxhetin komunal për vitin 2017, potencoi se buxheti i përgjithshëm është prej 10 milion e 19 mijë euro, prej të cilave 8 milion e 891 mijë janë grand qeveritar, ndërsa 1 milion e 6 mijë e 695 euro të hyra vetanake.
“Vitia vitin e ardhshëm do të ketë buxhet më të madh për investime kapitale.“Edhe pse kërkesat dhe nevojat janë shumë më të mëdha , megjithatë buxheti I dedikuar për investime kapitale në shumë prej mbi 1 milion e 700 mijë euro do të ndikoi në përmirësimin e infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve”, ka thënë Rama.
Në debate me qytetarët të këtij fshati ishin edhe këshilltarët komunal Ali Bajrami e Sejdi Emini dhe drejtori I administratës komunale Isak Sadiku. Pjesëmarrja e banorëve në këto debate ishte e mirë dhe pjesa dërmuese e tyre shprehën fjalë të mira për qeverisjen aktuale sa I përket investimeve nëpër lokalitete brenda dy viteve të fundit.
Diskutimi publik do të vazhdojë të hënën ku do të mbahen takime në Sllatinë të Epërme dhe Sllatinë të Poshtme. /2LONLINE/