Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, i udhëhequr nga Rektori Bajram Kosumi, ka organizuar sot ngjarjen më të madhe e te rëndësishme, atë të diplomimit të studentëve.
Fillimisht, studentët e diplomuar të veshur me uniformën solemne, të prirur nga Dekanët e tyre, ai i Fakultetit të Edukimit, Ekonomik, Juridik dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, kanë parakaluar në sallë në prani të mysafirëve që ishin të shumtë, për të vazhduar në tribunën kryesore.
Pastaj, po ashtu solemnisht kanë filluar ti zënë vendet e tyre edhe Rektori, Prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm.
Më pas, nën përcjelljen e Korit, është bërë intonimi i himnit të Kosovës, kombëtar dhe ai i Universitetit.
Rreth punës, sukseseve, të arriturave dhe sfidat që e kanë përcjellë ose që i ka edhe sot Universiteti “Kadri Zeka”, ka folur Rektori Bajram Kosumi.
Ai ka falënderuar studentët, stafin akademik e administrative dhe të gjithë të pranishmit për punën dhe angazhimin e treguar në fusha të ndryshme në të mirën e Universitetit në përgjithësi.
Rektori ka thënë se pesë vjet mbas themelimit të Universitetit Kadri Zeka, sot jemi mbledhur këtu të kurorëzojmë dhe të urojmë diplomimin e gjeneratës së dytë të studentëve të UKZ-së..
“Jemi mbledhur këtu të festojmë dhe të urojmë diplomimin e rreth 300 studentëve të UKZ në këtë vit akademik. Ky është grupi i dytë i madh i studentëve tanë për të cilët organizojmë ceremoninë e diplomimit, nga 600 sa kanë diplomuar deri më tash. Vjet, në këtë sallë, më 27 nëntor, kemi organizuar ceremoninë e diplomimit të grupit të parë të studentëve. Por, midis nëntorit të vitit të kaluar dhe këtij nëntori ka zhvillime të mëdha në UKZ” ka thënë Rektori Kosumi.
Rektori në fjalën e tij ka thënë se , shumë studentë kanë filluar punën, të përgatitur për t’i shërbyer vetes, familjes dhe vendit.
‘’Ju sot po e mbyllni një cikël të jetës dhe po e hapni një të ri. Gjatë vitit që vjen ju do të bëheni pjesë të tregimit të reja të suksesshme të studentëve të UKZ, kudo që shkojnë: në vazhdim të studimeve, në punë dhe në aktivitete të tjera’’, ka thënë pos tjerash rektori Kosumi.
Kurse në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka uruar që Universiteti ‘’Kadri Zeka’’ t’i përngjaj figurës së heroi, i cili e zgjoi shpirtin e të rinjve në kohën më të rëndë.
“Uroj që Universiteti ti përngjanë Kadri Zekës si emër i përveçëm, si hero i Kosovës dhe si njeriu i cili vjen nga Gollaku i Gjilanit, por që e ka zgjuar shpirtin e të rinjve në kohën më të rëndë. Numri prej 9 mijë studentëve neve na bënë krenarë, sepse ky Universitet po iu krijon mundësi të rinjve edhe të Kosovës Lindore, edhe shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore dhe kudo që janë në diasporë”, ka thënë Haziri para të pranishmëve.
Ai theksoi se është ndier i impresionuar në debatin e organizuar me studentët e “Kadri Zekës” dhe ata të Zug të Zvcirës, të cilët, siç tha, jo vetëm që kanë treguar afinitet e barazi, por kanë treguar edhe zgjuarsinë dhe konkurrimin e plotë.
Kreu i Gjilanit ka kërkuar që kampusi universitar të mos mbes peng i burokracisë së ngadalshme në këtë drejtim.
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Arsim në Kuvendin e Kosovës Ismail Kurteshi pasi ka uruar studentete per diplomim, ka thënë se Kuvendi i Kosovës qysh vitin e kaluare ka shpall arsimin prioritet kombëtar, sepse vetëm me arsim Kosovën mund ta shëndërrojmë në një vend të pasur me perspektivë.
Në emër të familjes së atdhetarit Kadri Zeka, emrin e të cilit e mban universiteti yne, ka folur zv.Minitri Izmi Zeka. Ai ka përshëndetur këtë ceremoni të organizuar dhe sukseset e arritura të studentëve derisa ka thënë se, ndihet jashtëzakonisht krenar me gjithë këta student të ndritur të cilët do të jenë nesër të gatshëm ti shërbejnë më së miri vendit të tyre, Kosovës.
Ndërsa në emër të gjithë studentëve të pranishmit i ka përshëndetur Liridona Sabedini. Ajo ka thënë se ceremonia e diplomimit të studentëve është ndjenjë e mirë , por në të njëjtën kohë edhe një bekim për secilin studentë, akt krenarie ku po sublimohet puna dhe përkushtimi i studentëve dhe padyshim i profesorëve.
Më pas para pjesëmarrësve është paraqitur studentja e Fakultetit të Edukimit Adelina Halili e cila ka interpretuar këngën: “Moj e bukura Arbëri ” , nënë përcjelljen e Elona Sadikut.
Studentët e Universitetit “Kadri Zeka” pas përfundimit të studimeve ne këtë Institucion te dijes, tashmë kanë filluar që mësimet e marra ti praktikojnë në profesionin e tyre, duke gjetur pune neper institucione te ndryshme. Për këtë, rreth përvojave të tyre kanë folur studentja e Fakultetit te Shkencave Kompjuterike Dritelinda Hajdari dhe studenti i Fakultetit Ekonomik Astrit Agaj.
Pastaj Rektorin Bajram Kosumi, ka ndarë diplomat për studentët e diplomuar që kanë qenë të dalluar në mësim. Kurse secili Dekan, veç e veç, ka ndarë diplomat për secilin studentë të diplomuar.
Krejt në fund u realizua edhe momenti më kryesor, hedhja e kapelave nga studentët e diplomuar.