(2LONLINE) – Iu është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji dy të dyshuarve kryesor F.Maliqi (1962) dhe R.Maliqi (1986), për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen edhe të dy të tjerëve, që kishte ndodhur më 14 nëntor në Gjilan, ku ishin vrarë Asllan Lipovica, i lindur në vitin 1966 dhe Fitim Lipovica, i lindur më 1979 si dhe ishin plagosur dy të tjerë Fidan Lipovica (1993) dhe Adison Lipovica (1996),
Sabit Shkodra. zyrtar për Informim pranë Gjykatës Themelore në Gjilan ka thënë se gjyqtar i procedurës paraprake të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, në çështjen penale ka vendosur masën e paraburgimit prej një (1) muaji ndaj të pandehurve F. M. dhe R. M. I pandehuri F. M. dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe mbajtja në pronësi, kontroll, në posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe i pandehuri R. M. nga Gjilani për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Shkodra ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer e njëjta, ku me atë rast janë privuar nga jeta dy persona dhe rëndë janë lënduar edhe dy familjarë tjerë të viktimave edhe atë në afërsi të shtëpisë së tyre, ku janë përdorë përpos armëve të zjarrit edhe shumë mjete të rrezikshme për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, siç janë thika, sëpata e të tjera. Prandaj në rastin konkret caktimi i paraburgimit për të pandehurit në fjalë në këtë fazë të procedurës, e duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të pandehurve, të cilët edhe më parë dyshohen se kanë kryer vepra penale u pa si i arsyeshëm dhe i domosdoshëm për sigurinë e të pandehurve në procedurë dhe për një zhvillim të pa penguar dhe normal të hetimit, ekziston edhe rreziku tjetër se të njëjtit po të lihen në liri mund të përsërisin veprën penale ose të kryejnë edhe vepër tjetër penale. /2lonline/