Tribunali për krime lufte në Kosovë është tashmë thuajse çështje e kryer. Kështu ka thënë një burim ndërkombëtar i Gazetës Blic, sipas të cilit shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja janë pajtuar që të krijohet një tribunal i tillë. Kjo çështje është diskutuar në nivel të ministrave të jashtëm të këtyre vendeve. Për këtë hap sipas këtij burimi, tashmë janë njoftuar edhe zyrtarët nga Prishtina. “Pos zyrtarëve qeveritarë, edhe një pjesë e opozitës është njoftuar për çështjen e Tribunalit”, ka thënë burimi i gazetës.
Edhe një anëtar i njërës prej partive opozitare e ka konfirmuar këtë gjë. Ky zyrtar opozitar që ka dashur të mbes anonim, ka thënë se zyrtarët e lartë të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së, tashmë janë pajtuar për formimin e këtij tribunali, madje në një vend jashtë Kosovës. Ky zyrtar opozitar ka thënë se do të jetë shumë e vështirë që të pengohet krijimi i një tribunali të tillë. “Ne e kemi kundërshtuar krijimin e një Tribunali të tillë, por përfaqësuesit e shteteve të BE-së dhe SHBA-së duket se tashmë kanë vendosur. Duket se kjo çështje tashmë është kryer”, ka thënë ky zyrtar.
Njëjtë sikurse burimet ndërkombëtare, edhe ky zyrtar i njërës prej partive opozitare ka thënë se insistimi i ndërkombëtarëve është që kjo çështje të përfundoj para muajit qershor.
Në anën tjetër, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë Gazetës Blic se ata e kanë kundërshtuar krijimin e një tribunali të tillë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci ka thënë se krijimi i një tribunali të tillë, jo vetëm që do ta rrënonte sistemin e drejtësisë në Kosovë, por do ta rrënonte edhe imazhin e shtetit të Kosovës. Megjithatë, ai shprehet i bindur se ka hapësirë që kjo cështje të negociohet me BE-në dhe SHBA-në.
“Unë si ministër i Drejtësisë, ndoshta edhe zyrtari i vetëm publik jam që kam reaguar në këtë vend dhe e kam pas obligim institucional, edhe politik por edhe në kuptimin legal. E para, dua të them se Kosova ka qenë bashkëpunuese për të gjitha veprimet edhe me Tribunalin e Hagës. E dyta, dua të them se nga viti 1999 e deri më sot çështja e krimeve të luftës ka qenë nën autoritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtar, në tërësi, jo një për qind, por qind për qind. E treta, ne edhe sot kemi prezencë ndërkombëtare, EULEX-in, i cili ka kompetenca të veçanta në fushën e krimeve të luftës.
Dhe unë e them, Kosova ka kapacitete të mjaftueshme që të ballafaqohet me cilindo rast në kuptimin e vendosjes së drejtësisë në vend, dhe në këtë drejtim ka kapacitete, në radhë të parë gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it. Do me thënë, në paanshmëri, në pavarësi e profesionalizëm ata janë që kërkojnë të bëhet një Tribunal i tillë. Ende nuk e kemi trajtuar një gjë të tillë, as në Qeveri, as në Kuvend, sepse veprimet e tilla kërkojnë vendim të Qeverisë, e në veçanti vendim me dy të tretet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Kuçi.
(Gazeta Blic)