Tri vite më parë, Florim Zuka erdhi në krye të SC Gjilanit për të stabilizuar klubin financiarisht dhe kthyer shkëlqimin e tij në futbollin kosovar. Përvjetorin e ardhjes së tij nuk e harrojnë tifozët besnikë të klubit kuqebardhë, “Skifterat”.
Me Zukën në krye, skuadra e parë e Gjilanit nuk e ka fituar ende asnjë trofe, madje vjet ishte edhe në barazh. Por, pa Zukën, Gjilani kaloi shumë vite në Ligën e Parë e sa herë që inkuadrohej në elitë luftonte për mbijetesë.
Megjithatë, ai i ka kthyer “të kuqtë” në një klub stabil, sidomos në anën e financave. Sivjet Gjilani i Zukës lufton për trofe dhe dalje në Evropë.
Të kujtojmë që Zukën në krye të Gjilanit e sollën pikërisht Skifterat, pas protestave të vazhdueshme ndaj klubit.