ANTON NIKË BERISHA
1. Dy forma të rëndësishme shqiptimi dhe komunikimi
Në krijimtarinë e vet letrare poetike Sabit Rrustemi përdori – këmbeu dy forma të shqiptimit poetik: poezinë dhe prozën, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në të dy llojet. Në vitin 1977 botoi poezinë e parë në revistën “Zëri i rinisë” të Prishtinës, ndërsa përmbledhjen e parë me poezi e pati përgatitur qysh më 1981 –Ku i la lisat era. Njëmbëdhjetë vjet më vonë botoi përmbledhjen – Besoj në një diell (1992), ndërsa librin e parë me tregime Pika e zezë më 1993 e, të dytin, Maska e mysafirëve, më 1997. Në vijimësi botoi një varg përmbledhjesh të tjera me poezi e, shkroi edhe tregime. Zgjedhjen e poezisë së tij të dashurisë Ndezje yjesh në zemër e përgatita dhe e botova më 2015.
Vëllimi i tij me tregime të zgjedhura “Mëkati që (s) e bëmë”, përligj sa vlera të lartësuara poetike aq dhe pjekurinë e autorit si tregimtar.
Sabit Rrustemi përdori dy forma poetike – poezinë dhe prozën – i vetëdijshëm se të dyja i përkasin artit të fjalës dhe se janë dy mundësi për t’i shqiptuar dukuritë e ndryshme të botës që i përket, vuajtjet, shqetësimet dhe ndjenjësimet e brendshme etj, i bindur që si mesazhe poetike mund të jenë të rëndësishme dhe për të tjerët – të shkaktojnë kënaqësi estetike, pra të nxitin një komunikim të ngritur dhe të mirëfilltë dhe, natyrisht, si të tillë, të bëjnë ndikim në marrësin.
Përcaktimi që Sabit Rrustemi e nisi krijimtarinë letrare me poezi mund të sqarohet me atë që thoshte shkrimtari i shquar arbëresh, Dushko Vetmo: “Punë e rrallë është sot të takohesh me një njerí që beson në poezinë. Me një njerí i cili jo vetëm shkruan vjersha, por në vjersha jeton: për të cilin poezia është ushqim i përditshëm. Dhe kur e ke rastin e lumtur dhe të vjen në dorë një grumbull vjershash të gjallë, me erën e këndshme të bukës së përditshme, shpirti yt, si i çliruar nga rëndësia e trupit, po gëzon, dhe prej zëmrës çohet një këngë falënderimi ndaj jetës, ndaj krijesës. Jeta nuk të duket më e rëndë, nuk të shtyp, qoftë edhe midis durimeve gëlmuese që na ndjell çdo ditë ”.
Arsyen pse një krijues, siç ngjet dhe me Sabit Rrustemin, e nis krijimtarinë e vet me poezi, na e thotë (përsëri) shkrimtari Vetmo: “Ajo (poezia – v. ime) është e para që del, që krijohet. Çdo popull në fillim del me poezi, jo me prozë, pastaj vjen aporogu, përralla, novela e të tjerat dhe romani. Proza lind kur piqet një krijues, atëherë bëhet prozator ”.
Sabit Rrustemi përdor dy forma shprehëse poetike për t’i shqiptuar dukuritë e botës së jashtme ose të botës së brendshme, trazimet, ankthet, pësimeve, fatin tragjik etj., siç ka ndodhur dhe me shumë shkrimtarë tanë dhe të huaj: një temë ose një objekt artistik, në një çast përsiatje, shqetësimi dhe tundimi shpirtror, shqiptohet në mënyrë më të përshtatshme, më të thellë dhe më natyrshëm përmes vargjeve, ndërsa në një çast tjetër, përmes prozës. Them kështu për arsye se poezia, që është quajtur, mbretëresha e artit të fjalës, s’ka qenë dhe nuk është në gjendje të bëjë atë ndikim që e bëjnë krijimet në prozë, fjala vjen, romani, i cili në rrjedhën e zhvillimit të vet ndikoi dukshëm në shoqëri, përkatësisht në botën dhe në shpirtin e njeriut . Kjo mund të konkretizohet, fjala vjen, edhe nëpërmjet ndikimit që bëri përralla gojore nëpër kohë; ajo nuk u quajt rastësisht“ kthjelltësi e poezisë mbretërore ”, ose, siç thotë Max Lüthi, “Përrllae shpie dëgjuesin në qenësinë e ekzistencës njerëzore”.
Afrimi, njësimi apo shkrirja e përbërësve poetikë të dy llojeve letrare – poezisë dhe prozës dhe jo vetëm të këtyre – nga poeti ynë (dhe jo vetëm nga ai) nuk është mangësi; nuk është veprim i rastit, zbritje e rrafshit krijues shprehës dhe e vlerës ose zbehje e mundësisë së komunikimit dhe e ndikimit të mirëfilltë artistik, po përpjekje për t’i dhënë krijesës letrare poetike fuqi, gjallëri dhe shumësi të të shprehurit artistik dhe të shumësisë së mendimeve që mund të dalin nga struktura e tekstit përatës. Me fjalë të tjera, në të dy llojet, qoftë në poezi, qoftë në prozë, përcaktuesja kryesore e vlerës dhe e rëndësisë së strukturës gjuhësore shprehëse të përftuar është gjuha poetike; ballafaqimi i fjalëve, i frazave dhe i pjesëve më të mëdha të tekstit dhe i mendimeve që dalin nga ai, pajtimësia ose kundërshtimi i tyre.
Pra, përkundër afrive dhe ngjasimeve të përbërësve poetikë të krijimeve në poezi dhe në prozë, ato, megjithatë, kanë dhe ruajnë mëvetësinë e shtjellimit dhe të shprehurit, ashtu siç i veçon studiuesi polak, Stawinski: “E kundërt me shprehjen vjershore, në të cilën mund të dallohen pjesë kupti¬mesh, që krijojnë lidhje më komplekse në të gjitha nivelet e njësive linguistike […], në shprehjen narrative këto mund të dallohen vetëm në nivelin e fjalisë. Tërësitë semantike të fja¬lisë paraqesin madhësi elementare nga të cilat gjatë zhvillimit të kumunikateve të prozës pasojnë ‘njësi të shumta kuptimore’. Këtij relacioni pozitiv të fjalive i përgjigjet raporti i tyre negativ pengimi i pjesëve më të vogla autonome […] ato nuk lejojnë që të konstituohen njësi kuptimore të nivelit më të ulët, ose nuk u mundësojnë, përkatësisht i shtyjnë në gjendjen e pontencialitetit. – Për dinamikën kuptimore të veprës poetike duket se është karakteristike tejdukshmëria e njësive më të mëdha linguistike në raport me ato më të voglat […] Sekvenca poetike, sikur në tekstin e vet, e bën të pranishme strukturën e elementeve gjuhësore, nga të cilat përbëhet e gjithashtu edhe në rrafshin kuptimor. Në komunikatin rrëfimor prozaik vepron tendenca e kundërt: segmentet e rrafshit më të lartë absorbojnë segmentet e rrafshit më të ulët, të cilët mjegullohen, bëhen transparentë për tërësi më të mëdha kuptimore ”.
Përpjekjet e studiuesve për të ndriçuar dallimet mes poezisë dhe prozës në rrafshin e pëbërësve të rëndësishëm poetikë, siç vërehet në mendimin e sjell më lart, në rrafshin praktik, në shumë raste, zhbëhen, qoftë kur në tekstin e përftuar shfaqen synime dhe tendenca të ndryshme dhe të kundërta, të mohimit të njëra – tjetrën, qoftë kur afrohen e njësohen duke përligjur kështu qenësinë, veçantinë dhe fuqinë e jashtëzakonshme të mesazheve që dalin nga ajo strukturë gjuhësore dhe të mundësisë së ndikimit të shumëfishtë estetik, si qenësi e artit të fjalës. Këtë e dëshmojnë dhe fjalët e njërit ndër stilistët më të shquar të letërsisë frënge, Gustav Floberit, i cili thoshte se kur mendonte se prozës së tij i kishte dhënë formën e poezisë, vërente se ajo ende kishte punë për ta ngritur në rrafshin edhe më të lartë poetik.
2. Tregime të natyrshme dhe poetikisht të ngritura
Vëllimi me tregime të zgjedhura Mëkati që (s) e bëmë paraqet pa dyshim punën më të rëndësishme dhe më cilësore të deritashme të Sabit Rrustemit në fushën e prozës. Tregimet e përfshira në të dëshmojnë, pos të tjerash, për disa çështje kryesore: ai u qaset dukurive të botës së jashtme dhe të botës së brendshme në mënyrë sa të mëvetësishme, aq dhe të natyrshme e të ndërliqshme; shtjellimi i tekstit është i menduar dhe i konceptuar mirëfilli; të shprehurit figurativ po ashtu; gjuha që përdor është e pasur; fjalia e rrjedhshme. Autori përdor një varg frazeologjish të traditës sonë gojore (shprehje, urti, fjalë të urta etj.), që jo vetëm i japin një ngjyrim të veçantë rrëfimit, po e bëjnë më të pasur dhe më komunikues; pastaj përsëritjet e ndryshme, pra variantiteti – motërzimet, shqiptimi i dukurive që komunikojnë në forma shumësore me lexuesin. Kjo mënyrë e përftimit të rrëfimit në variante, në disa përbërës, e ka bazën në krijimet e letërsisë gojore, ku ato paraqesin qenësinë e ekzistimit, të transmetimit dhe të komunikimit.
Sabit Rrustemi i shprehë dukuritë sipas asaj që ndodhin në botën e tij të brendshme, sipas shqetësimeve dhe tundimeve që ato i shkaktojnë dhe si të tilla dëshiron t’i vështrojë dhe të komunikojë me to. Pra, rrëfimi i tij përligj natyrën dhe ritmin e asaj që ndodh në shpirtin e tij, shqetësimet dhe brengat, edhe kur dëshmohet ballafaqimi i ashpër ose kundërshtimi dhe kundëvënia e skajshme (kontrasti): pësimet, gërryerja e themeleve të kullës (njeriu ynë si vetërrënues), lëkundjet shpirtërore, pasiguria, frika, dhembja, vuajtja etj. (Se duhej gjalluar në majë gishti, mes thoit e mishit; Do të vij atëherë kur të çrirohem dhe prej vetvetes; Të dukej se vendësit jetonin vetëm me të nesërmen; Nga e nesërmja, çdo ditë duhej të lëshoheshim bregut, me rrjeta buzë detit. Për ta zënë fatin e ikur; Nata me terrin lugaq kaluron nëpër mua me trok tmerrues; Nën det m’u përftua edhe Gruaja e Vëllait të madh. Ishte e zhytur thellë, sa mezi e shihja, për t’i larë lotët duke njelmur krejt ujët e detit.).
Pra, në rrëfimin poetik të Sabitit gjithçka është thellë e përshkuar nga un-i dhe ego-ja e tij, nga ndërgjegjja, ajo që e bën atë krijesë më vete në krahasim me të tjerët. Pikërisht këtë “tjetër” nga të tjerët autori ia del ta shqiptojë në tekstin e përftuar, gjë që përligj burimësinë dhe vlerën e asaj që ai rrëfen, si shqiptim origjinal dhe me mundësi të dukshme të komunikimit.
Sabiti nuk rrëfen sa për të thënë diçka: ai rrëfen diçka të qenësishme, rrëfen natyrshëm, qoftë dhe kur ndodhin dallgëzime brenda botës së tij, ose kur ato shkaktohen nga jashtë, kur duhej frymuar e mbijetuar në kushte e në kohë të pakohë, në rrethana të mbushura me bumbullima, me pësime e me fatin tragjik të përmbysur të njeriut tonë. Kjo kushtëzon që tregimet e tij shpesh të kenë ngjyrimin e përhitur, të ngarkuara me mjegulla e me errësirë, qoftë të shkaktuara nga të tjerët ose nga vetë njeriu ynë.
Në tekstin e tregimeve të vëllimit Mëkati që (s) e bëmë ndihet shpesh veçantia dhe ritmi i vargut, që ndërlidhet me dukurinë që e vështrova në hyrje të parathënies.
Autori ynë është i shqetësuar dhe shqetësohet nga veprimi i njeriut – nga ligësia që ai bën për vetë njeriun, si fjala vjen, nga pluhiri dhe ndotja e ajërit nga automjetet:
A s’bën të thithësh pluhur, të thithësh tym? T’i mbushësh mushkëritë. Zorrët. Gjakun. O jemi ngopur deri sot me ajër, o s’ngopemi kurrë. Pse tash të mos ngopemi me pluhur, të mos ngopemi me tym, pse? Kemi mundësi. Madje edhe të kënaqemi me pluhur, të kënaqemi me tym! Pa para […] Jeta moderne kështu e ka: të shijosh gjithçka nga pak. Dje ajrin. Sot, pluhurin, tymin. Nesër diçka tjetër, ta zëmë pluhurin e atomit […]
Veprimet e pamenduara, mëdyshjet dhe luhatjet në çaste të rëndësishme jetësore, shpesh vetëdija e “fjetur” e njeriut tonë e të ngjashme, shqiptohen me një art të madh, siç dëshmohet edhe përmes këtyre shembujve:
Të ngratit për mend. Jo me dashje. Nga shkurtëpamësia, kaosi që mbretëronte në atë kohë lufte. S’dihej sa shkonte drithi, kush bluante e kush merrte miellin. Bukën e pjekur. Njeriu shkonte si qeni në rrush.
*
[…] nuk e vërejti fare atë pluhur që u ngrit thik përpjetë. Erërat e rrihnin andej-këndej. E mbanin pezull. Dredhë. As e ngritnin më lart se retë e dendura përmbi. As e ulnin më poshtë. Pluhuri s’kishte peshë. Ishte ajër i pluhurt. Erërat sikur gjetën zgjidhje. Ia hodhën fytyrës. Ia hodhën kokës.
*
Më kotë e ruajtëm, nëna dhe unë. I humbën fjalët, buzëgazet, këngët. U shterr bota e motrës prej njelmësisë që djeg: lotëve pa zë. Qyqemotra. Tek dritarja mbeti ajo. Në gurë lotësh. Lulemotra. Kujtimi që më dehu tërësisht.
*
Gruaja e vëllait gërryente dheun e mbetur zorrëve të mia, pa mëshirë. Asaj as që i pëftonte në mendje se çfarë goditjesh më jepte. Nuk i ndiente të rënat siç i ndija unë, veshëve të mi.
*
Sabiti e bën objekt shqyrtimi poetik dhe dashurinë, siç ndodh dhe në poezinë e tij. Edhe në shqiptimin e saj ai është i mëvetësishëm, burimor: vështron atë që është e qenësishme, që mund t’i shpëtojë syrit të rëndomtë; shqipton sidomos dramatikën e dashurisë, e cila mundëson ndriçimin dhe zbulimin më të thellë të shpirtit të njeriut:
Një ditë edhe më lindi një dëshirë e marrë, sikur t’ia rrëmbeja ata sy L. dhe ta lija të verbër pa sy. Ajo patjetër do të nisej më pas drejt meje si sytë e saj.
*
Mëngjesi i asaj dite të diel, të trembëdhjetë prillit, nuk e duroi më ndarjen tonë, monotoninë e shikimeve pa fjalë, lojën e padurueshme me sy.
*
Të kënaqem duke e lexuar nga larg mungesën time syve të Saj!
3. Dy forma të shtjellimit të tregimit
Me perceptimin poetik dhe me mënyrën e shtjellimit të tekstit të tregimeve, Sabiti Rustemi parapëlqen sidomos dy forma: tregimin me gjatësi të rëndomtë (të zakonshëm), siç janë, fjala vjen,tregimet “Pesha e dheut”, “Diçka si dashuri”, “Mëngjesi i një dite” etj. dhe tregimin e shkurtë, ku teksti është i dendur, herë – herë skajshmërisht. Dukuritë shqiptohen në formë sublime, të pamjes ikonike (të ikonës): nuk mund të heqesh as të shtosh asgjë pa rrënuar gjithë krijimin.
Për të parë artin e madh të teksteve të këtilla, veçantinë e shtjellimit, stilin e dendur e të lartësuar, gjuhën poetike të pasur, po sjell tri tregimetë shkurtra: “Prehem nën qerpikun e saj”, “Portreti i dritares” dhe “Përjetimi i ëndrrës që nuk e shihte”,ndër më artisikët e këtij libri, ku përligjet jo vetëm mënyra e mëvetësishme e shqiptimit dhe e të shprehurit poetik, po dhe shkrirja e kujfijve midis prozës dhe poezisë dhe mundësia shumësore dhe gjallëruese e reciptimit dhe e ndikimit estetik në lexuesin.
PREHEM NËN QERPIKUN E SAJ
“Fytyra e saj ka ngelur në një krah dritareje. Aty buzë lumit në shtëpinë me shpinë prej malit.
Kur e dëshiron muzikën e lumit, kthehet me profil kah udha. Kur përmallet për hënën, i jepet pjesës tjetër të dritares.
Mali dhe unë digjemi në pritje. Hapi i saj nuk i ndez gjethet e vjeshtës.
As i puth blerimet e majit.
Sa herë i përvidhen ëndrrat, hyj e prehem nën qerpikun e saj. Po e trandi një flutur a një zog agsholi, unë mbetem larg, përtej ëndrrës, përtej vashës.
Lumi nis vajin prajshëm, prajshëm deri në thellësitë e shpirtit tim.
Dal e pres te shelgjet. Ajo sapo ka ikur me flokët e shkrehura. Mbes mes lumit e mes malit. Pritja rrit një kodër, një varg kodrash. Pritja shndërrohet në fat. Fati im bëhet vashë lumi që ikën e s’kthehet.
Bëhet vashë mali që prehet e sërish rritet.
As jam ai që shterr një lumë, as ai që prej e rrënoj një mal. As jam që rri pa një vashë. Shtëpi të saj bëj veten time me një zemërmal e një lumëdritë. Pamjet e kësaj mrekullie të krijuar në pritje ia postoj përmes ëndrrës më të re që shfaqet në sytë e saj.
Sapo të zgjohet, do të hap dritaren… si tash. Vjen dhe shgrehet në vaj brenda shtëpisë së sapongritur. Mikja e përjetshme. Qe dy mijë vet s’po mund t’ia zë flokët, s’po mundt’ia shporr vetminë.
O Zot, sa kam munguar në shtëpinë që e mori lumi, që e fshehu mali ”.
PORTRETI I DRITARES
Dritarja kishte marrë fytyrën e saj. Qëmoti. Brenda kornizave muri i qelqtë ishte shkrirë i tëri në dashuri. Përjetësisht, ajo dritare kishte gravuar fytyrën e saj në murin e dhomës së shpirtit të tij. Tash më shumë po e ndiente. Më thellë po e shihte. Më larg po e arrinte përmes kësaj embleme që mbante në zemër.
PËRJETIMI I ËNDRRËS QË NUK E SHIHTE
Ishte pikërisht e martë dita kur e kaploi dëshira për ta përjetuar ëndrrën që nuk e shihte. E dinte mirë se ajo ëndërr nuk mbyllej më brenda grilash. As mashtrohej nga një mal gjumësirash. Njësoj, sikur e dinte se ajo që aq shumë e kish ëndërruar, tashmë ishte përtej ëndrrës.
*
Me veçantitë shqiptuese, shtjelluese dhe poetike që i cilësojnë tregimet e vëllimit Mëkati që (s) e bëmë të Sabit Rrustemit, përligjet arti i madh i prozës së tij tregimtare dhe njëherit i prozës moderne shqipe në përgjithësi.