(Xhenetë Çaka „Grimca që prekin“(tregime) Sh b „Beqir Musliu“ Gjilan, 2013, faqe 65)
Bilall MALIQI
(2LONLINE) – Xhenetë Çaka doli me një libër me tregime interesante në të cilat fshihet një botë imagjinative e autores. Këto tregime së lexuari ngjallin herë dhembje, herë dëshpërim e fund e krye emocione të cilat doemos do ta përthekon lexuesin në përgjithësi.
Fshehtësia e porosive të tregimeve prezentë tregojnë qartë vendosmërinë e Xhenetës ta shkrij tërë brendësinë e saj krijuese në tematikat e zgjedhura e të shndërruara në tregime interesante dhe tërheqëse për lexim.
Në tregimet e prezantuara shpërfaqet një botë e veçantë krijuese e autores.
Tematikat e zgjedhura për lexuesit paraqesin një disponim të zymtë, aty-këtu paraqitet një pasqyrim i efektshëm i lëndës rrëfimtare. Tregimet siç janë të prezantuar para lexuesve Xheneta nuk u ka vënë në funksion personazhe, por ato janë burim i dalur nga thellësia e shpirtit të saj.
Me gjithë motivet që prezantohen brenda lëndës prozaike e kanë efektin pozitiv, sepse në to ka mesazhe vetëdijesimi për veset negative të përditshmërive tona në çdo aspekt të jetës.
Tregimet si të tilla kanë lidhshmëri në mes veti dhe mund të lexohen pa shkëputje si një roman, sepse motivet, sajimet dhe ngjarjet kanë korrespondim në mes veti.
Libri në fjalë përbëhet nga njëzetë e një tregime disa të shkurtra e disa më të gjata, të ndara në dy cikle /Duke prekur jetën / dhe /Për pak më shumë dashuri/, në të cilat shprehet revolta dhe aty-këtu pesimizmi i personazhit kryesor të tregimeve të këtij libri.
Porosi të shpaluara
Çdo tregim në libër ka mesazhin e vet. Këto mesazhe janë për përmirësim në raportet jetësore të atyre që ndjenjat njerëzore u mungojnë apo edhe u kanë ikur, e sidomos të prindërve që braktisin fëmijët e tyre e kohët e fundit për fat të keq kjo është shumë evidente. Xheneta me anë të këtyre tregimeve bënë thirrje të arsyeshme për t’i braktisur këto vese që të ngulfasin me mëkate. Kjo më shumë vërehet në ciklin e parë të tregimeve si:/ Ai thoshte/, / Ajo shkoi/etj. Tregime të njëjta që shprishin dhembje tek lexuesit janë edhe /Lot pa rrugë/, / Dedikuar ty/, /Heroi im/, / Letër varrit/, / Marionetë e pabindur /, / Një jetë pa frymë/, /Femër e shuar/ dhe tregimi më i bukur /Grimca që prekin/.
Këto tregime të fusin në emocione të papërshkrueshme.
Në tregimet me motiv të dashurisë duket sikur Xheneta për një çast ka dal nga koncepti i dhembjes dhe në tregimin / Dhoma 210…dashuri në ujë të njelmët/, paraqet në skenë një lojë të dashurisë në valët e parehatuara të detit , duke shpalosur tërë atë dashuri me protagonistin e tregimit e deri në parashikimet për një ardhmëri me plot dashuri dhe me fëmijë, por kjo më vonë rezulton në heqjen e „shtëpisë“ së fëmijëve..
Brenda tregimeve kemi edhe tregim me motiv social ku vehet në spikamë jeta e varfanjakëve të cilët në përditshmëritë tona nuk janë edhe të pakt, tregimi /Gjumë në karrocë/, apo edhe tregimi / Po kjo fytyrë sa kushton/, në të cilën fshihet porosia për të gjithë ata egoista, apo për ata që kanë shumë fytyra për përmirësim dhe për vetëdijesim.
Edhe cikli i dytë i tregimeve / Për pak më shumë dashuri/, autorja në tregimet vijuese bënë thirrje të arsyeshme për më shumë dashuri dhe tolerancë në të gjitha sferat e jetës shoqërore.
Libri me tregime „ Grimca që prekin“ i autores Xhenetë Çaka shoqërohet me tregime të realizuara me forcën e saj krijuese, por të veçantë e bëjnë këtë libër tregimet, motivet që i përkasin realitetit jetësor dhe ndërtimi i tyre me gjithë porositë që fshihen nëpër tregimet përkatëse. Dhe besojmë se Xheneta në të ardhmen do të gjurmoj edhe më tutje motive nga më të ndryshmet me qëllim të rrugëtimit të saj të mëtutjeshëm në fushën e krijimeve letrare. /2lonline/
(Autori i këtij këndvështrimi është dhe njëri nga recensentët e këtij libri )