(2LONLINE) – Transportuesit e udhëtarëve si taksi ilegal që nuk kanë licencë, ende vazhdojnë të operojnë në komunën e Gjilanit dhe kjo po paraqet problem tek transportuesit të cilët posedojnë dokumentet përkatëse për të ushtruar këtë veprimtari.
Është një numër i madh i transportuesve ilegal që siç thuhet se punojnë në të “zezë” dhe ata nuk kanë të ndalur. Një numër jo i vogël i tyre këtë punë e shohin të vetmen mënyrë për të mbijetuar. Mirëpo nga ankesat e marra, autoritet policore të rajonit të Gjilanit kanë filluar të ndërmarrin një aksion.
Ismet Hashani zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, ka thënë për 2L Online, se njësitet e Policisë në bashkëpunim të ngushtë me inspektorët Komunal janë duke i identifikuar disa pika kryesore, në mënyrë që t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm në bazë të ligjeve në fuqi dhe që ta ndalojnë transportimin ilegal të udhëtarëve në destinacione të ndryshme.
‘’Jemi duke i identifikuar disa pika veçanërisht atë në qendër të qytetit , udhëkryqit të rrugës së Prishtinës me rrugën e “Bezit” si dhe tek xhamia e vogël afër ambulantes, këto pika janë shumë të frekuentuara nga personat të cilët bëjnë transport ilegal ’’ tha Hashani.
Hashani tutje shtoi se nëse takojnë të atillë që nuk kanë dokumente përkatëse për transport legal , atëherë me ta do të merren organet përgjegjëse. /Edona Jerliu/