/2L ONLINE/ – Në kuadër të Muajit të Rinisë, në Shtëpinë Rinisë në Gjilan, u mbajt aktiviteti i radhës, debati në lidhje me trafikimit të qenieve njerëzore, si të parandalohet, organizuar nga Rotaract Club “Anamorava”, sponsoruar nga Rotary Club Gjilanin dhe mbështetur edhe nga Njësia për Rini e Komunës së Gjilanit. Njëherësh me këtë aktivitet RCT “Anamorava” përmbylli aktivitetet pesëditore mbi ketë çështje. Në debat morën pjesë mbi 50 të interesuar, pjesa dërmuese të rinj, të cilët patën rastin të dëgjojnë në lidhje me këtë temë nga njerëz profesionistë, të thirrur për këtë çështje, që ishin pjesë e panelit, që vinin nga Policia e Kosovës, njësitet përkatëse, si dhe nga shoqëria civile.
Xhyljeta Sveçla, zyrtare policore në Drejtorinë Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore tha se me trafikim të qenieve njerëzore nënkuptojnë shfrytëzimin e detyrueshëm të njerëzve, pa dallim a është femër e mashkull, nga ana e keqpërdoruesve, kriminelëve, që qëllim kanë vetëm përfitimin. Ajo ka kërkuar nga të rinjtë ta bëjnë dallimin mes trafikimit me prostitucionin apo kontrabandën me emigrantë, nga sipas saj, në këtë rast kemi të bëjmë me detyrim, ku kriminelët personat e trafikuar i detyrojnë pastaj në prostitucion, lypësi, punë të detyrueshme, skllavëri e në krime të ndryshme, vetëm e vetëm që ata kriminel të përfitojnë për vetën e tyre.
Sveçla ka thënë se ky lloj kriminaliteti është kudo dhe se as vendi ynë nuk është imun ku kemi të trafikuar edhe nga vendi ynë jashtë, por edhe nga jashtë në vendin tonë, por se, sipas saj, lufta ndaj këtij krimi, e organeve përkatëse është e pakompromis. Ndërsa, duke folur për statistika, ka treguar se nga viti në vit shtohet numri i të prekurve nga ky krim që janë vendas por ka treguar edhe rezultatet e policisë me arrestimet e shumta që janë bërë të atyre që janë përfshirë në këtë krim.
Ajo ka kërkuar, veçmas nga të rinjtë, të jenë të kujdesshëm sepse trafikantët dinë të mashtrojnë, japin premtime të rrejshme kanë metodat e tyre joshëse, por që kur arrijnë ta fusin në kthetrat e tyre viktimën, atëherë ata ato i shfrytëzojnë dhe i detyrojnë në gjëra të ndryshme, vetëm e vetëm të përfitojnë për veten e tyre. Ndërkohë që Sveçla ka kërkuar edhe bashkëpunimin e të rinjve në çfarëdo forme me të cilat luftohet ky krim, ngase siç tha ajo, lufta ndaj kësaj të keqe duhet të bëhet nga të gjithë.
Ndërsa, togeri Azem Krasniqi nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore tha se ky krim është shumë i rëndë, trafikantët janë të pamëshirshëm dhe se viktimat e tyre pësojnë dhunë të ndryshme si ajo fizike, psikike, shpirtërore, seksuale, ekonomike etj, Ai u tregoi të rinjve se sa e rëndësishme është parandalimi që dikush të bije pre e këtyre trafikantëve apo edhe shpëtimi i viktimave, andaj në këtë drejtim tha se çdokush mund të kontribuoj e veçmas të rinjtë. Ai tha se policia, konkretisht drejtoria ku punon ai ofron anonimitet të plotë, asaj nuk i intereson kush po e lajmëron rastin, por thjesht i intereson që të merr informacionin e duhur dhe të veprojë pastaj sipas ligjit për ta luftuar këtë lloj krimi. Ai ka ofruar numra konkret që janë edhe pa pagesë por edhe email, ku ka mundësi kushdo që dëshiron, të jap kontributin e tij për të parandaluar apo luftuar këtë të keqe në shoqërinë tonë. I pyetur se a mund të ketë informacione të rrejshme, toger Krasniqi tha se policia është profesionale dhe se kur t’i merr këto informacione nga pala, nuk do të thotë se vepron menjëherë, por ai informacion shërben për t’i nis hetimet dhe vetëm atëherë kur të sigurohen provat që e argumentojnë dyshimin apo shqetësimin e ngritur, atëherë policia vepron. Ai tha se bashkëpunimi ndihmon luftimin e këtij krimi, ku do të identifikohen personat që merren me këto punë kriminale dhe do të reagohet ndaj tyre, por edhe do të bëhet identifikimi i viktimave, që më pas, mund t’iu ofrohet mbështetja e plotë në rehabilitim dhe ri-integrimin e tyre.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë thirrje që qytetarët, e në këtë rast të rinjtë, të jenë sa më afër Policisë së Kosovës sepse Policia punon më qëllimin e vetëm që t’i mbrojë ata, pra të mos hezitojnë të lajmërojnë çdo dyshim për punë të paligjshme e cila mund t’i ndihmojë shumë policisë në identifikimin e problemit dhe zgjidhjen e saj. Duke e ditur natyrën mashtruese të trafikantëve edhe toger Hashani ka kërkuar nga të rinjtë kujdes të shtuar e veçmas, dyshimet t’i lajmërojnë në polici, ndërsa ka kërkuar që rrjetet sociale të përdoren me kujdes duke u sugjeruar të rinjve që të mos flasin me njerëz të panjohur, që u premtojnë apo i joshin me atë se ëndrrat e tyre ua bëjnë realitet.
Ndërsa, Savjola Konja psikologe nga Shqipëria po që vepron në Prishtinë, ka thënë se për parandalimin e këtij krimi mund të bëhet shumë duke filluar nga secili pjesëmarrës prej vetës së tij. Sipas saj është shumë e rëndësishme familja dhe ndërtimi i saj. Ajo tha se investimi në edukatën familjare ka rol të madh sepse çdo fëmijë hapat e parë dhe mësimet për jetën i merr/duhet t’i marr aty gjithsesi. Kështu secili duke krijuar një familje me shtylla të forta, do të jetë më e vështirë të ndikojë apo t’i bëjë keq atyre.
Përndryshe, debati u përmbyll me dhënien e certifikatave për fëmijët asambleistë të cilët morën pjesë në punëtorinë e organizuar në kuadër të projektit që RCT Anamorava e zhvilloi për disa ditë, ku këta asamblistë të rinj po ashtu kishin shpërndarë broshura para teatrit të qytetit të Gjilanit, që kishte të bënte me këshilla mbi parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore. /2L ONLINE/