(2L ONLINE) – Kryetari i komunës së Kamenicës Begzad Sinani, mori pjesë në debatin e organizuar me qytetarë në fshatin Topanicë, ku u diskutuan punët që janë kryer deri tani në këtë fshat dhe nevoja e bashkëpunimit të mëtutjeshëm, në realizimin e kërkesave të qytetarëve.
Kryetari i Këshillit Lokal, Rexhep Morina, duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, prezantoi nevojat e qytetarëve të Topanicës para kryetarit të komunës. Ndër to, si një nevojë e menjëhershme u paraqit problem i furnizimit me ujë të pijshëm.
Kryetari i Komunës Begzad Sinani, falënderoi qytetarët që ishin mbledhur në këtë debat, duke vlerësuar lart gatishmërinë e qytetarëve të Kamenicës, si një fshat i organizuar e solidar. Sinani bëri të ditur se komuna do të financojë hapjen e një pusi në fshatin Topanicë.
“Kontributi juaj si fshat për komunën, mbetet në një nivel të lartë që ne e çmojmë. Gjithashtu edhe bashkëpunimi për çdo projekt, gjithmonë ka qenë i madh. Me problemin e furnizimit të ujit të pijshëm në fshatin tuaj, jam njoftuar para pak kohësh. Andaj do të fillohet menjëherë me procedurat për projektin e hapes së një pusi për ujë të pijshëm, duke vlerësuar se ky hap është një hap i domosdoshëm”, tha veç tjerash kryetari Sinani. /2L ONLINE/