(2L ONLINE) – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës PDK, Hashim Thaçi, në tubimin në Gjilan sërish ka përmendur ndërtimin e autostradës Prishtinë-Bresalc – Gjilan-Dheu i Bardhë -Konçul nën qeverisjen e ardhshme të tij.
Para shumë simpatizantëve që ishin tubuar para teatrit të qytetit të Gjilanit lideri i PDK-së Hashim , Thaçi ka theksuar se kjo autostradë është pjesë e investimeve të vazhdueshme që janë bërë në modernizimin e infrastrukturës së Kosovës.
“Përmes Misionit të Ri, që synon zhvillimin ekonomik të Kosovës do të vazhdojmë me investimet edhe në infrastrukturë. Pas përfundimit të autostradës së kombit, po jetësohet projekti i autostradës së Shkupit. Ne do të ndërtojmë autostradën Prishtinë, Bresalc, Gjilan, Konçul. Kjo autostradë do të na lidh edhe më mirë me bashkëatdhetarët tanë në Luginën e Preshevës dhe Bujanocit”, ka theksuar Thaçi.
Përndryshe, Thaçi tha se Projekti “Misioni i Ri”, është projekti i shumicës së qytetareve të Kosovës pa dallime politike, , andaj i ka ftuar të gjithë pa dallime partiake por tëi bashkohen këtij misioni për zhvillimin e vendit.
Po kështu, Thaçi ka përsëritur premtimin e tij që e ka realizuar, për rritjen e pagave, pastaj ligjin për veteranët e luftës, uljen për 50 për qind të pagesës së semestrit për studentë në Universitete Publike, ndërkaq sërish potencoi se prej 1 tetori të këtij viti, të gjithë studentët e Universiteteve Publike do të studiojnë falas.
Ai ka theksuar se PDK-ja, me 8 qershor do të shënojnë fitore të thellë dhe ka ftuar të gjithë qytetarët e Anamoravës dhe Karadakut që t’i bashkohen Misionit të Ri, misionit për punësim dhe zhvillim.
“Misioni i Ri do t’i siguroj Kosovës 200 mijë vende të punës, do të garantoj mirëqenie për qytetarët e Kosovës. Krahas kësaj, ne do të vazhdojmë me rritjen e pagave në të gjitha sektorët”, ka thënë lideri i PDK-së Hashim Thaçi. /2L ONLINE/