Gjilan – (2LONLINE) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi të enjten ka marrë pjesë në shënimin e nismës zyrtare të punës së Universitet Publik të Gjilanit (UPGJ), me këtë rast e ka quajtur ditën e sotme si “Ditë e madhe për Gjilanin, Kosovën dhe krejt shqiptarët”, ndërsa ka premtuar se UPGJ-ja do të bëhet me objektin më modern në rajon.
Kryeministri i vendit ka thënë se hapja e Universiteteve nëpër rajone më të mëdha të Kosovës ka dal të jetë storie e suksesshme dhe se beson se edhe kjo në Gjilan do të jetë padyshim storie e suksesit, ndërsa e ka vlerësuar si të një rëndësi të madhe UPGJ-në jo vetëm për Gjilanin e Anamoravën por edhe për rrethinë duke përfshirë edhe Preshevën ,Medvegjën, Bujanocin, por edhe Kumanovën me rrethinë.
Sipas tij, me hapjen e këtij Universiteti në Gjilan po nis një epokë e re moderne për krejt rajonin dhe se po i jep kuptim të plotë edhe Gjilanit evropian. Thaçi ka thënë se Universiteti i Prishtinës ishte baza e shtetndërtimit të Kosovës dhe tani janë kapacitetet dhe potencialet për t’u krijuar e mbajtur universitete sepse hapja e tyre është produkt i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
AI meritor e ka quajtur edhe kryetarin e Komunës Qemajl Mustafën, që nuk ka rresht së punuari rreth kësaj ideje për themelim të Universitetit të Gjilanit dhe se tani kjo po jetësohet.
Qemajl Mustafa kryetar i komunës së Gjilanit e ka vlerësuar themelimin e këtij Universitetit si meritë e përkushtimit të Qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Thaçi, duke thënë se ai e ka përmbushur premtimin e dhënë.
Përndryshe, ai ka falënderuar edhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar që Universiteti i Gjilanit të jetë sot realitet. Sipas tij, ky Universitet është i një rëndësie të madhe edhe për Rajonin dhe Luginën e Preshevës.
Arben Dërmaku ushtrues detyre i rektorit të Universitetit të Gjilanit tha se sot po krenohemi që po e festojmë një ëndërr të kamotshme të gjeneratave të shumta për tu bërë Gjilani me Universitet dhe se, sipas tij, Gjilani më nuk është thjesht vetëm qytet i Kosovës por përfundimisht ka hyrë në hartën e universiteteve botërore dhe se do të jetë një kopsht që do të furnizojë me kuadro politikën, ekonominë, shoqërinë…
Ai ka bërë me dije se për momentin janë tri Fakultete ai i Edukimit, Juridku dhe Ekonomiku, ndërsa u shpreh se prioritet do të jenë edhe studentët nga Lugina e Preshevës por edhe integrimi i diasporës.
Ramë Buja ministër i Arsimit tha se gjilanasit duhet të ndihen me të vërtetë krenar sepse Gjilani po bëhet sot qytet universitar dhe se Universiteti Publik i Gjilanit do të jetë prodhues i kuadrove për tërë rajonin. E Ibrahim Gashi, rektor i universitetit të Prishtinë (UP), tha se UP-ja do të vazhdojnë të jenë si një vëlla i madh për Universitetet tjera të themeluara n♪7 rajone tjera të Kosovës dhe do të vazhdojë t’i ndihmojnë ato. /2lonline/